
Një zjarr i rënë mbrëmjen e djeshme në kompleksin “Kadiu”, në zonën e Ali Demi në Tiranë, ka shkaktuar panik mes banorëve të një pallati të sapondërtuar të kompanisë “Kontakt”, në pronësi të biznesmenit Fatmir Bektashi.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, flakët dyshohet se kanë nisur në kabinën e automateve elektrike të godinës. Tym i dendur dhe aktivizimi i alarmit të emergjencës detyruan dhjetëra banorë, përfshirë familje me fëmijë, të dalin me urgjencë nga apartamentet.
Banorët pretendojnë se ndërhyrja e mjeteve të emergjencës është vështirësuar për shkak të bllokimit të rrugës pranë pallatit, çka sipas tyre pengoi hyrjen në kohë të zjarrfikëses dhe ambulancës.
Pas ngjarjes, qytetarët kanë ngritur shqetësime për standardet e sigurisë në kompleks, duke theksuar se rrugët e brendshme nuk përmbushin parametrat e nevojshëm për qarkullimin e mjeteve të emergjencës në raste kritike.
Kompleksi rezidencial raportohet se ende nuk është përfunduar plotësisht, ndërsa banorët janë futur në apartamente vetëm prej pak muajsh. Deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa autoritetet pritet të hetojnë shkaqet e zjarrit.