Vendosni fjalën kyçe....

“S’i lëshojmë shtëpitë pa dëmshpërblim” – 2 vatrat e reja të protestave në Tiranë


Banorët e Bregut të Lumit, që preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri të Tiranës po zhvillojnë një protestë kundër prishjes së banesave të tyre që preken nga ky segment.

Ata kërkojnë dëmshpërblimin e pronave të tyre përpara prishjes pasi nuk kanë se ku t’i çojnë familjet e tyre. Bulevardi ka mbërritur në pikën e fundit të tij dhe banorët janë kërcënuar me prishje banesash dhe dalje në rrugë.

Duhet theksuar fakti se banorët e dy segmenteve të para që janë prekur nga ndërtimi i Bulevardit të Ri, janë shpronësuar dhe dëmshpërblyer për banesat dhe pronat e prishura, ndërsa banorët e segmentit të tretë ku përfshihen 46 banesa e ku jetojnë qindra familje nuk u është ofruar asnjë dëmshpërblim.

“Shtëpia jonë, prona jonë nuk shkelet me këmbë. Do i përshkallëzojmë protestat, do bllokojmë rrugën dhe do vetëflijohemi për banesat tona. Këtë ta dijë mirë Rama e Veliaj. Nuk do i lëmë banesat pa u dëmshpërblyer sepse kemi derdhur djersën tonë.” – shprehen banorët.

Ata kanë paralajmëruar se do zhvillojnë protesta çdo ditë deri në fitimin e së drejtës së tyre, pasi sipas tyre është krejt e padrejtë që banorët që janë vetëm pak metra larg tyre të dëmshpërblehen siç ka ndodhur, ndërsa ata të nxirren përjashtë duarbosh.

“Këto shtëpi do i mbrojmë me gjak. Nuk do i lejojmë pronat tona. Ta dijnë mirë ata. I kemi paguar të gjitha detyrimet dhe jemi në proces legalizimi prej më shumë se 10 vitesh por na kanë mbajt peng.” – tha një tjetër protestues.

Paraditen e sotme në zonën e Shkozës, banorët që rrezikohet t’u prishen shtëpitë nga Unaza e Madhe protestuan. Ata kërkojnë dëmshpërblim të pronave dhe banesave të tyre.

Protestuesit lëshuan akuza të rënda në drejtim qeverisë dhe bashkisë duke thënë se projekti ka ndryshuar disa herë, herën e fundit vetëm një muaj më parë dhe se pas tij fshihen interesa të errëta e korruptive.

Ata kanë deklaruar se do vetëflijohen për banesat e tyre pasi nuk manë se ku të shojnë dhe nuk kanë ku t’i çojnë familjet duke qenë se kanë derdhur në ndërtimin e shtëpive djersën e 25 e më shumë viteve.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *