
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me seancën e zhvilluar një ditë më parë në procesin administrativ ku ai është palë paditëse, duke kritikuar vendimin për ndalimin e transmetimit live të seancës dhe mënyrën si u trajtua çështja nga institucionet e përfshira.
Sipas Veliajt, zhvillimet në sallën e gjyqit ngritën shqetësime për standardet e transparencës dhe shtetit të së drejtës.
“Edhe pse mediat kishin instaluar kamerat dhe transmetimi kishte nisur, gjykata vendosi ndalimin e transmetimit live të seancës dhe nxjerrjen e kamerave jashtë sallës, duke u mbështetur në një udhëzim administrativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me standardin kushtetues për transparencën e gjykimit”, thuhet në reagimin e tij.
Veliaj thekson se kundërshtimi ndaj pranisë së kamerave është bërë nga palë të ndryshme në proces, përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe të paditurin Ols Dado. Sipas tij, argumentet e paraqitura për shmangien e transmetimit lidhen me mbrojtjen e imazhit profesional, por ai i cilëson këto qëndrime si të papajtueshme me parimin e transparencës.
“Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku”, citohet ai në reagim.
Në deklaratë, Veliaj ngre gjithashtu pretendime për mungesë vendimmarrjeje kolegjiale në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke sugjeruar se qëndrime institucionale janë paraqitur pa një vendim formal të organit përkatës.
Ai pretendon gjithashtu se në seancë janë paraqitur elementë që, sipas tij, ngrenë dyshime për paligjshmëri institucionale, por nuk ka pasur reagim nga gjykata.
Në përfundim, Veliaj thekson se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar dhe se procesi duhet të shkojë deri në verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës nga subjektet e përfshira.
“Askush nuk bëhet prokuror i Republikës së Shqipërisë përmes heshtjes institucionale, kalimit të kohës apo shmangies së kontrollit publik dhe gjyqësor. Nëse kriteret ligjore nuk janë përmbushur, pavlefshmëria absolute nuk shërohet me kalimin e viteve”, deklaron ai.
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me një proces konkret gjyqësor, por me, siç e cilëson ai, besueshmërinë e shtetit të së drejtës dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.