
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka deklaruar se Teherani po e shqyrton ende propozimin e paqes të Shteteve të Bashkuara për përfundimin e konfliktit dhe se përgjigjja do të jepet “në kohën e duhur”, përcjell Fox News.
Deklarata vjen pas mesazhit të Sekretarit të Shtetit amerikan Marco Rubio, i cili tha se Uashingtoni priste një përgjigje nga Irani brenda së njëjtës ditë.
“Duhet të dimë diçka sot. Po presim përgjigjen e tyre,” u shpreh Rubio, duke shtuar: “Shpresa është që kjo të na fusë në një proces serioz negociatash.”
Megjithatë, Baghaei ka theksuar se Irani nuk i përgjigjet “afateve apo ultimatumëve”, duke i cilësuar ato si të pavlera për Teheranin.
“Ne nuk i përgjigjemi afateve apo ultimatumeve. Ato nuk kanë asnjë kuptim për ne,” citohet të ketë thënë ai, sipas Middle East Eye.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “do ta kuptojnë së shpejti” nëse Irani po e vonon qëllimisht përgjigjen e tij ndaj propozimit amerikan, në një kohë tensionesh të larta pas përplasjeve në Ngushticën e Hormuzit.