Vendosni fjalën kyçe....

Bozdo: Lejet pa plan për parqe fotovoltaike rrezikojnë të shkaktojnë black out


Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Eno Bozdo, deklaroi se dhënia e lejeve për ndërtimin e parqeve fotovoltaike pa studime të plota dhe pa planifikim të qartë mund të krijojë probleme serioze për sistemin energjetik në vend.

Gjatë një mbledhjeje të Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Bozdo u shpreh se lejet që po jepen për këto investime mund të kthehen në një barrë të rëndë për rrjetin e shpërndarjes së energjisë dhe mund të rrisin rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike.

“Nëse mendoni se po i bëni nder qeverisë dhe shtetit me lejet pa fund të fotovoltaikëve e keni gabim, sepse do ju kthehet në barrë të jashtëzakonshme për sistemin e shpërndarjes. Jepen leje pa plan investimesh të mirëfillta që kjo energji që prodhohet të absorbohet nga rrjeti. Janë të pakta lejet, në mos asnjë, që parqet shoqërohen me detyrimin për kapacitet baterish, gjë që është problematike për absorbimin dhe mund të sjellë më pas edhe black out-e,” tha ai.

Sipas Bozdos, një pjesë e investitorëve po orientohen drejt ndërtimit të parqeve fotovoltaike për shkak të rënies së interesit në sektorin e ndërtimit, ndërsa mungon një plan i qartë për integrimin e energjisë së prodhuar në rrjetin energjetik.