
Reshjet e ditëve të fundit kanë sjellë dëmtime në rrugën Kukës-Kalimash,. Në 16 kilometrat e këtij segmenti ka dëmtime të shumta që po sjellin degradimin e shpejtë të saj.
Drejtuesit e mjeteve e cilësojnë qarkullimin të rrezikshëm. Në disa zona ka çarje dhe shembje të trupit të rrugës, ndërsa një shkëmb i madh i rrëzuar nga skarpati vijon të qëndrojë në anë të saj prej ditësh, duke shtuar rrezikun për aksidente, shkruan Shqiptarja.
Banorët shprehen se gjendja është përkeqësuar veçanërisht në dy javët e fundit, me rënie të shpeshta gurësh, sidomos në orët e mëngjesit. Sipas tyre, mirëmbajtja kërkon më shumë fuqi punëtore dhe ndërhyrje të vazhdueshme për pastrimin e aksit.
Problem mbetet edhe një nga urat kryesore të segmentit, rreth 37 metra e gjatë. Mbrojtëset anësore janë të amortizuara dhe pothuajse jashtë funksionit, duke shtuar rrezikun, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë.
Sipas kompanisë mirëmbajtëse, ndërhyrjet e mëdha kërkojnë projekt të miratuar dhe fonde nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Projekti për rehabilitimin e segmentit dhe të urës është dorëzuar për miratim dhe pritet financimi.