Vendosni fjalën kyçe....

Atentati brenda qelisë në burgun grek, arrestohet kryeguardiani


Në foto: Alket Rizai

Kryeguardiani i burgut të Domokosit është arrestuar të mërkurën, i dyshuar për bashkëpunim në një vrasje që ndodhi brenda ambienteve të sigurisë së lartë më 15 shkurt.

Viktima, Antonis Papadatos, 42 vjeç, u qëllua tre herë në kokë mbrëmjen e së dielës, brenda burgut. Ai po vuante dënimin për vrasjen e biznesmenit të hotelerisë Dionysis Korfiatis (i njohur si “Dimis”) në Zakynthos në vitin 2021.

Si autor i dyshuar i të shtënave përmendet shtetasi bullgar S.R., i njohur me nofkën “Razvan”, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e greko-australianit John Makris, i cili u ekzekutua në tetor 2018 jashtë shtëpisë së tij në Voula. Gjatë ngjarjes ishin të pranishëm edhe kryeguardiani, si dhe një tjetër i burgosur, shqiptari Alket Rizaj.

Krimi ndodhi rreth orës 19:00, në një dhomë pa kamera sigurie, e cilësuar nga burime policore si e vetmja “pikë e verbër” e institucionit dhe që përdoret zakonisht për takime, shkruan Ekathimerini.

Sipas dëshmive fillestare të disa të burgosurve, Papadatos kishte hyrë në dhomë i armatosur me revolver dhe dyshohet se synonte të qëllonte kryeguardianin. Sipas këtij versioni, dy të burgosurit e tjerë – bullgari dhe Rizaj – e çarmatosën dhe e qëlluan për të mbrojtur oficerin.

Megjithatë, magjistrati hetues në Fthiotidë nuk u bind nga ky rrëfim. Të martën, kryeguardiani u pezullua nga detyra, sipas një njoftimi të publikuar në platformën qeveritare Diavgeia.