
*Nga Paul Dragos Aigica
Rasti Epstein ka nxjerrë në pah një mekanizëm të vjetër, por rrallë të diskutuar hapur: “kurthin e mjaltit” – një teknikë kompromisi dhe kontrolli me anë të së cilës njerëz me influencë joshen qëllimisht në situata të paligjshme ose thellësisht komprometuese, të dokumentuara sistematikisht, në mënyrë që më vonë të mund të shantazhohen, të kontrollohen ose të neutralizohen.
Le ta shfrytëzojmë rastin, ndërsa publiku duket i interesuar për këto mjete dhe teknika, për të sjellë një mjet tjetër nga i njëjti “set mjetesh”.
Më pak e dukshme, por po aq efektive, vepron “OJF-ja e mirë”.
Nëse kurthi i mjaltit shfrytëzon dobësitë private, OJF-ja e mirë shfrytëzon kapitalin moral të kauzave fisnike. Nën maskën e altruizmit dhe të shoqërisë civile, ajo funksionon si një mekanizëm i influencës dhe i kontrollit politik indirekt, mekanizëm i vështirë për t’u sfiduar pikërisht sepse është legjitimuar nga virtyti.
OJF-ja e mirë
Faza 1 – Krijimi. OJF-të krijohen me qëllime moralisht të patëmetë: mbrojtja e mjedisit, e kafshëve, e fëmijëve, e të drejtave, e përfshirjes, e “së mirës publike”.
Formalisht këto janë entitete të shoqërisë civile; në realitet ato kontrollohen operacionalisht nga prapa prej një entiteti krijues. Prandaj mbijetesa dhe suksesi i tyre anormal në një sektor që përndryshe do të shënohej nga dështimi dhe braktisja.
Faza 2 – Legjitimimi publik. OJF-ja dhe bartësit e imazhit të saj ngrihen në dukshmëri kombëtare. Bëhen prani të përsëritura mediatike. Kapitali i besimit rritet me shpejtësi: janë “të painteresuara”, “jofitimprurëse”, “në anën e së mirës”. Kritika ndaj tyre bëhet pothuajse e pamundur.
Faza 3 – Hyrja në polemika publike. OJF-ja fillon të ndërhyjë në çështje publike të ndjeshme dhe të diskutueshme. Pozicionet paraqiten si “morale”, “shkencore” ose “humanitare”, jo politike. Legjitimiteti i akumuluar funksionon si mburojë.
Faza 4 – Politizimi indirekt. OJF-ja, përmes bartësve të imazhit të saj, fillon të sugjerojë politika publike, drejtime operacionaledhe opsione konkrete politike, duke ruajtur fiksionin e neutralitetit qytetar. OJF-ja ose i ashtuquajturi përfaqësues i ngritur në platformën e saj bëhet maja heshtës e fushatave propagandistike dhe masave aktive.
Faza 5 – Transferimi i personelit. Nga platforma e OJF-së lançohen figura “të reja”, “të pastra”, “të shoqërisë civile”, të cilat hyjnë në politikë ose administratë. Operacioni arrin pjekurinë: elita politike të ngritura artificialisht, me kapital moral dhe profesional të parafabrikuar.
Çelësi i mekanizmit: Në secilën fazë vepron i njëjti refleks frenues: “Si mund t’i kritikosh njerëzit që bëjnë mirë? A nuk e sheh ç’kauzëtë pastër mbrojnë?!” Ky refleks është pikërisht instrumenti kryesor i manipulimit.
Tani le të hedhim një vështrim tërësor:
Deri më tani kemi ndjekur funksionimin e një entiteti të vetëm, një OJF-je “të mirë”. Pyetja thelbësore është: çfarë ndodh kur nuk kemi më një rast të izoluar, por një sistem të tërë, një rrjet të shtrirë në nivelin e një shoqërie?
Përgjigjja është relativisht e thjeshtë: një infrastrukturë paralele e influencës politike shfaqet në nivelin shoqëror ose kombëtar.
Dimensioni qytetar dhe joqeveritar është kapur nga dera e pasme dhe është shndërruar në një mekanizëm që vepron sipas parametrave të paracaktuar si burim strategjik për manipulim, devijim dhe propagandë në hapësirën publike dhe, njëkohësisht, si forcë politike indirekte në hapësirën e vendimmarrjes.
Shoqëria civile pushon së qeni një korrigjues spontan, plural dhe organik dhe bëhet një sistem i koordinuar, me mesazhe të sinkronizuara, tema të përsëritura, bartës imazheshqë riprodhohen herë pas here, si dhe me një kapacitet të jashtëzakonshëm për të imponuar agjenda, për të bllokuar debate dhe për të delegjitimuar çdo formë opozite.
Le ta amplifikojmë imazhin: të shtojmë edhe mass-madiat e të njëjtit lloj, intelektualët publikë, influencuesit, “ekspertët”. Një rrjet i tërë transsektorial: pushtet politik real i ushtruar pa përgjegjësi politike formale, ndikim masiv pa një mandat demokratik dhe kolonizim gradual i hapësirës publike nën maskën e mirësisë, neutralitetit dhe virtytit qytetar.
Funksionet operacionale
Për të kuptuar funksionimin e një sektori të parafabrikuar dhe të kontrolluar politikisht të OJF-ve është e nevojshme ta shohim atë si një entitet funksional, me role të përcaktuara mirë:
11.a) Rezervë personeli. OJF-të funksionojnë si fidanishte të personelit politik dhe administrativ. Aktorët e ardhshëm politikë zgjidhen, trajnohen, testohen dhe legjitimohen publikisht, pa u ekspozuar ndaj rreziqeve të konkurrencës së drejtpërdrejtë demokratike.
2.b) Trupa goditëse. Rrjeti i OJF-ve mund të aktivizohet shpejt për presion të koordinuar publik: protesta, letra të hapura, apele morale, skandale mediatike. Ndërhyrje të shpejta, të sinkronizuara, me paraqitje spontane.
3.c) Tryezë manovrimi. Mobilizim i kontrolluar i vullnetarëve, i mbështetësve dhe i publikut të gjerë për të amplifikuar artificialisht tema të caktuara, duke krijuar përshtypjen e konsensusit ose urgjencës morale.
4.d) Aparat propagande. Prodhim dhe shpërndarje e narrativave, kornizave interpretuese dhe gjuhës normative (“çfarë është e pranueshme”, “çfarë është toksike”, “çfarë është e frekuentueshme”, “çfarë nuk diskutohet”). Legjitimiteti moral zëvendëson analizën kritike.
5.e) Instrument i “masave aktive”. OJF-të përdoren për ndërhyrje indirekte: delegjitimim i kundërshtarëve, fragmentim i opozitës, testim i reagimeve publike, ndikim në vendime pa angazhim formal politik.
6.f) Mjet i fushatave publike. Kryerja e fushatave tematike me ndikim të lartë emocional, të paraqitura si qytetare ose humanitare, por të përafruara strategjikisht me objektiva politike ose ideologjike.
Thelbi i mekanizmit: Pushtet politik real i ushtruar përmes mbulesës pa përgjegjësi politike, nën mbulesën e së mirës publike dhe neutralitetit qytetar.
Si ta kuptojmë që një shoqëri ka rënë viktimë e kapjes?
Kapja, sigurisht, mund të kryhet nga aktorë të ndryshëm dhe përmes strukturave të ndryshme, me interesa dhe objektiva të ndryshëm. Pyetja e rëndësishme nuk është nëse ekziston influenca, por kur kjo influencë dëshmon praninë e një entiteti koherent dhe të koordinuar, të llojit të shtetit paralel ose të rrjetit ndërkombëtar. Përgjigjja mund të formulohet prej një rrethanetë thjeshtë statistikore.
Ekziston një mjet heuristik relativisht elementar: nga një këndvështrim statistikor, shoqëria civile duhet të pasqyrojë, grossomodo, shpërndarjet normale të opinioneve, të vlerave dhe të pozicioneve që ekzistojnë në shoqërinë reale.
Në një shoqëri funksionale opinionet janë të shpërndara, pozicionet janë të larmishme dhe konfliktet janë të dukshme sheshit. Konsensusi i gjerë është i rrallë dhe zakonisht shfaqet vetëm për çështje vërtet themelore. Pluralizmi, fërkimet dhe mosmarrëveshjet nuk janë mosfunksionime, por shprehje të natyrshme të një strukture shoqërore të shëndetshme.
Sinjali i alarmit shfaqet kur sektori i vetëshpallur “qytetar” bëhet në mënyrë anormale homogjen ideologjikisht, i përafruar në mënyrë të përsosur për nga narrativa dhe i sinkronizuar në mënyrë refleksive në momente krize. Kur të njëjtat tema, të njëjtat formulime dhe të njëjtat pozicione shfaqen njëkohësisht, pavarësisht nga konteksti, përgjatë linjave të paracaktuara të propagandës.
Në këtë pikë shoqëria civile pushon së qeni pasqyrë e shoqërisë reale dhe bëhet një shtrembërim statistikor: një fushë që duhet të kishte ndjekur një shpërndarje normale në të vërtetë funksionon si një shpërndarje e cunguar dhe e drejtuar.
Në përfundim
Kurthi i mjaltit dhe “OJF-ja e mirë” duken instrumente të ndryshme, por ato i përkasin të njëjtit set mjetesh. E para vepron nëpërmjet kompromisit dhe shantazhit, duke përdorur dobësitë private për kontroll të drejtpërdrejtë. E dyta vepron nëpërmjet kapitalit moral dhe legjitimitetit publik, duke përdorur kauza fisnike për ndikim indirekt dhe pushtet politik pa mandat.
Ndryshimi qëndron te metoda, ngjashmëria te funksioni. Të dyja anashkalojnë mekanizmat transparentë të demokracisë, të dyja prodhojnë pushtet pa llogaridhënie, të dyja funksionojnë në mënyrë efektive pikërisht sepse fshihen: njëra në zonën e tabusë, tjetra në zonën e virtytit.
Dallimi në stil nuk e ndryshon thelbin: janë instrumente përplotësuese të të njëjtit lloj operacioni: kontroll shoqëror dhe influencë politike dhe ekonomike jodemokratike, me mjete të tërthorta, i vështirë për t’u kundërshtuar dhe edhe më i vështirë për t’u ekspozuar.
*Dragos Paul Aligica është KPMG profesor i Qeverisjes në Universitetin e Bukureshtit. Prej vitit 2023 është anëtar i Akademisë së Evropës (Academia Europaea).
Ky shkrim është përkthyer dhe publikohet në Hashtag.al me lejen e autorit