Vendosni fjalën kyçe....

Kremlini: Rusia e nisi operacionin me qëllim të pastrojë Ukrainën nga nazistët


Pas ndërhyrjes së forcave ruse në Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar për mediet se Rusia ka nisur një operacion ushtarak në Ukrainë për të pastruar vendin nga nazistët.

“Idealisht, është e nevojshme të çlirohet Ukraina, të pastrohet nga nazistët, si dhe nga njerëzit dhe ideologjia pro-naziste.“- u tha Peskov gazetarëve, sipas Sputnik.

Peskov nuk dha detaje nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konsiderohet një person “pro-nazist“, duke thënë: “Unë do të përmbahem nga çdo shpjegim tjetër për këtë çështje”.

Kujtojmë se në një fjalim televiziv herët të premten, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një “operacion ushtarak” në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, por sipas raportimeve në mediet perëndimore ajo që ka nisur shkon shumë më tej dhe përbën një sulm në shkallë të plotë ndaj vendit.

Automjetet ushtarake ruse thuhet se kanë shkelur kufirin në një numër vendesh, në veri, jug dhe lindje, duke përfshirë edhe nga Bjellorusia. Të paktën shtatë persona dihet se janë vrarë në sulmet ruse, thotë policia. 19 të tjerë janë të zhdukur.

Shpërthime të shumta janë dëgjuar në qytetin e Odesës brenda orës së kaluar. Presidenti rus Putin, tha se qëllimi i operacionit ishte çmilitarizimi dhe ‘denazifikimi’ i Ukrainës.