
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ashpërsoi më tej qëndrimet e tij ndaj Danimarkës dhe vendeve europiane gjatë fjalimit të mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku kërkoi “negociata të menjëhershme” për kalimin e Groenlandës nën kontrollin e SHBA-së.
Trump akuzoi Danimarkën për “mosmirënjohje”, duke iu referuar mbrojtjes që Shtetet e Bashkuara i ofruan ishullit arktik gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai përsëriti se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është i domosdoshëm për arsye të sigurisë kombëtare, sipas AP.
“Ky ishull gjigant, i pasiguruar, në fakt është pjesë e Amerikës së Veriut. Ky është territori ynë”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan hodhi poshtë pretendimet se interesimi i SHBA-së për Groenlandën lidhet me elementët e rrallë minerarë. Ai theksoi se kushtet ekstreme e bëjnë të vështirë nxjerrjen e tyre.
“Duhet të kalosh qindra metra akull. Nuk është kjo arsyeja pse na duhet”, tha ai, duke shtuar se qëllimi kryesor është “siguria strategjike kombëtare dhe ajo ndërkombëtare”.
Gjatë fjalimit, Trump sulmoi ashpër edhe politikat energjetike të Europës, veçanërisht energjinë e erës.
Ai i cilësoi turbinat e erës si “humbëse” dhe tha se ato blihen nga “njerëz budallenj”, duke iu referuar vendeve europiane që, sipas tij, i blejnë nga Kina.
Trump riafirmoi mbështetjen për naftën, qymyrin dhe energjinë bërthamore, ndërsa sulmoi burimet e reja dhe të pastra të energjisë.
“Ato vrasin zogjtë dhe shkatërrojnë peizazhet”, u shpreh ai, duke shtuar se Kina dominon tregun global të turbinave me erë, por nuk i përdor gjerësisht brenda territorit të saj.
Në më pak se 20 minuta nga nisja e fjalimit, Trump kritikoi disa herë Europën, duke deklaruar se, ndonëse ka prejardhje europiane dhe dëshiron ta shohë kontinentin të ecë përpara, vendet europiane po “shkatërrojnë veten”.
Ai sulmoi politikat mbi emigracionin, tregtinë dhe energjinë, ndërsa udhëheqës të shumtë europianë ndodheshin në sallë.
“Disa vende në Europë nuk janë më as të dallueshme. Këtu kemi parë fatin që e majta radikale u përpoq t’ia impononte Amerikës”, tha Trump, duke thelluar edhe më tej përplasjen retorike me aleatët europianë.