Vendosni fjalën kyçe....

Tajlanda dhe Kamboxhia firmosin armëpushim pas javësh përleshjesh të përgjakshme në kufi



Tajlanda dhe Kamboxhia kanë nënshkruar të shtunën një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund disa javëve luftime të armatosura përgjatë kufirit mes dy vendeve, për shkak të pretendimeve territoriale, përcjell Euronews.

Armëpushimi hyri në fuqi rreth mesditës me orën lokale dhe parashikon ndalimin e çdo lëvizjeje ushtarake nga të dyja palët, si edhe ndalimin e shkeljeve të hapësirës ajrore për qëllime ushtarake. Gjatë përleshjeve, vetëm Tajlanda përdori sulme ajrore, duke goditur objektiva në territorin e Kamboxhias, sipas Ministrisë kamboxhiane të Mbrojtjes.

Marrëveshja përcakton gjithashtu që Tajlanda, pasi armëpushimi të respektohet për 72 orë, të riatdhesojë 18 ushtarë kamboxhianë të mbajtur si të burgosur që nga përleshjet e korrikut, një kërkesë kryesore e palës kamboxhiane.

Dokumenti u nënshkrua nga ministrat e Mbrojtjes së dy vendeve, Tea Seiha nga Kamboxhia dhe Nattaphon Narkphanit nga Tajlanda, në një pikë kufitare, pas tre ditësh bisedimesh mes zyrtarëve ushtarakë në kuadër të Komitetit të Përgjithshëm Kufitar.

Marrëveshja riafirmon angazhimin për respektimin e armëpushimit të korrikut, të ndërmjetësuar nga Malajzia me presionin e SHBA-së, si dhe përfshin 16 masa për uljen e tensioneve. Megjithatë, pavarësisht marrëveshjeve të mëparshme, përplasjet dhe incidentet e vogla vazhduan, duke kulmuar në luftime të ashpra në fillim të dhjetorit.

Sipas autoriteteve tajlandeze, që nga 7 dhjetori janë vrarë 26 ushtarë dhe një civil, ndërsa 44 civilë të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e efekteve anësore të konfliktit. Kamboxhia nuk ka publikuar shifra zyrtare për humbjet ushtarake, por ka raportuar 30 civilë të vrarë dhe 90 të plagosur. Qindra mijëra banorë janë evakuuar nga zonat e prekura në të dy anët e kufirit.

Marrëveshja përfshin gjithashtu angazhimin për respektimin e traktateve ndërkombëtare kundër përdorimit të minave tokësore, një çështje e ndjeshme për Tajlandën, pasi disa ushtarë janë plagosur këtë vit nga mina që Tajlanda i cilëson si të vendosura rishtazi. Kamboxhia pretendon se ato janë mbetje nga luftërat civile të dekadave të kaluara.

Palët ranë dakord edhe të shmangin përhapjen e informacionit të rremë, të rifillojnë procesin e demarkacionit të kufirit dhe të bashkëpunojnë kundër krimeve ndërkufitare, përfshirë mashtrimet online të kryera nga rrjete kriminale.

Konflikti i këtij viti lidhet me mosmarrëveshje të hershme territoriale, tensione politike dhe çështje ekonomike të lidhura me aktivitetet kriminale ndërkufitare.