Vendosni fjalën kyçe....

Zëvendëspresidenti JD Vance: Elon Musk po bën “gabim të madh” duke sulmuar Donald Trump


Zëvendëspresidenti JD Vance ka kritikuar Elon Musk-un për sulmet e tij të ashpra ndaj presidentit Donald Trump në rrjetet sociale, duke thënë se miliarderi po bën “gabim të madh” duke u përplasur me Trumpin në një përplasje që po shkakton tensione të mëdha, përcjell The Guardian.

Në një intervistë me komedianin Theo Von, e publikuar të premten pas përplasjes publike mes Musk dhe Trump, Vance tha se Musk është një “njeri emocional” që po reagon me nervozizëm, dhe shprehu shpresën që ai të rikthehet në bashkësi me grupin republikano-konservator, pavarësisht tensioneve.

“Mendoj se nëse Elon qetësohet pak, gjithçka do të shkojë mirë,” tha Vance, duke shtuar se Trump është “i matur” dhe nuk dëshiron një grindje të hapur me Musk.

Musk kishte nisur sulme të forta ndaj Trump lidhur me ligjin e shpenzimeve dhe skemat e taksave, madje sugjeroi pa prova se administrata Trump fsheh dokumente lidhur me pedofilin e famshëm Jeffrey Epstein, një akuzë që Vance e hodhi poshtë duke thënë se Trump nuk ka bërë asgjë të gabuar në këtë çështje.

“Gjithçka që po ndodh nuk po i shërben askujt,” tha Vance, duke quajtur sulmet e Musk “të pamatura” dhe duke mbrojtur ligjin që synon të zgjatë uljet e taksave të vitit 2017, pavarësisht se kjo do të çojë në rritje të borxhit dhe humbje të sigurimeve shëndetësore për miliona amerikanë.

Ai e përshkroi Musk si një “sipërmarrës të jashtëzakonshëm” dhe vlerësoi punën e tij në “Departamentin e Efikasitetit Qeveritar” për uljen e shpenzimeve dhe përmirësimin e efikasitetit.

Në intervistë, Vance u përgjigj edhe ndaj pyetjes së Von nëse kishte përdorur drogë në natën e zgjedhjeve për të festuar fitoren e Trumpit, duke qeshur dhe thënë se nuk e pranon nëse e kishte bërë, por pranoi se kishte pirë mjaft alkool atë natë.

Intervista u regjistrua në Nashville, në një restorant në pronësi të muzikantit dhe aleatit të Trump, Kid Rock.