Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Hotelet luksoze të Ahmetajt i ka paguar Klodian Zoto me paratë e taksapaguesve shqiptarë


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediet ka ngritur çështjen e aferës së inceneratorëve, ku ka akuzuar ish-ministrin Arben Ahmetajn se ka qëndruar në hotelet e paguara nga biznesmenit të shpallur në kërkim Klodian Zoto.

“Punonjësit e kompanisë Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj, kanë financuar vizitat turistike, netët e luksit në hotelet me pesë yje të Arben Ahmetajt, asokohe ministër i Ekonomisë, sigurisht jo me para të veta, por të sipërmarrjes qeveritare të vjedhur nga taksapaguesit shqiptarë.

Klodian Zoto, ka paguar me kartën e vet të kreditit, të paktën në pesë raste të raportuara qëndrimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetajt.

Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD-së dhe opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e mega-vjedhjes së 430 milionë eurove.

Arben Ahmetajt dhe shefi i tij, Edi Rama, kanë rolet më kryesore në këtë aferë.

I pari Edi Rama, përmes firmave që ka hedhur, dhe përdorimit të shefit të tij, Engjëll Agaçit, ka qenë njeriu më kryesor i të gjithë procesit korruptiv.

Pra, kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, me Edi Ramën në krye, që kanë përfituar nga kjo mega-aferë korruptive.

Edi Rama, në kundërshtim me ligjet e vendit, në kundërshtim me opinionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, ka firmosur kontratën me negociatat të mbyllura, në mënyrë antiligjore.

I dyti, Arben Ahmetaj, përmes njohjeve me të kërkuarit e drejtësisë, gjë që e ka mohuar vazhdimisht, ka luajtur rolin e ndërmjetësit sipas një skeme të qartë piramidale.”- thotë Berisha.

Kryedemokrati ka shtuar se ish-ministri Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere. Paratë për hotelet e Ahmetajt megjithatë sipas tij nuk janë paguar nga xhepi personal i Zotos por nga taksapaguesit shqiptarë, paratë e të cilëve janë përdorur gjithashtu për blerjen e votave.

“Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere.

Është personi që së bashku me Edi Ramën, kanë firmosur vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Nuk është rastësi që ministri më i fuqishëm i Ramës, Tigri i oborrit, rrëzohet në të njëjtën makinë me Zoton e tij, dhe fle në të njëjtin hotel luksoz me këtë person.

Askush të mos gënjehet. Hotelet e shtrenjta nuk janë paguar me kartat e kreditit të Zotos. JO! Ato janë para të taksapaguesve shqiptarë, që Rama ua merr dhe ua kalon vetes, ministrave dhe hajdutëve të oborrit.

Këto para kanë ikur për blerjen e votave, për lobimet korruptive ndërkombëtare dhe për blerjen e drejtësisë.”– deklaron ai.