Vendosni fjalën kyçe....

I dënuar në Itali, prokuroria e Vlorës i sekuestron gjashtë apartamente e një dyqan


Foto ilustruese

Prokuroria e Vlorës i ka kërkuar gjykatës sekuestrimin e disa pasurive të një personi, të regjistruara në emër të tij e familjarëve, me dyshimin se janë vënë përmes veprimtarive të paligjshme në Itali.

Ajo ka regjistruar procedimin penal të Viktor Shorajt, i cili akuzohet për pastrim parash.

Pasuritë në Vlorë, për të cilat prokuroriaka kërkuar  sekuestron janë gjashtë apartamente e një dyqan.

Viktor Shoraj rezulton i dënuar në Itali për disa vepra penale.

Njoftimi i prokurorisë

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr.113 të vitit 2019, për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, mbi bazën e materialeve referuese të ardhura nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Nga hetimet e kryera deri më tani është kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi disa pasuri të paluajtshme, regjistruar në emër të shtetasit V. Sh., dhe familjarëve të tij, për shkak se deri në këtë fazë ka dyshime të arsyeshme të bazuar në prova se këto pasuri janë produkt i veprave penale të kryera në shtetin italian nga ana e shtetasit të mësipërm.

Sipas aktit të ekspertimit kontabël të kryer gjatë hetimeve, rezulton se pasuritë e evidentuara, të blera dhe me pas të regjistruara në emër të shtetasit V.Sh., dhe familjarëve e tij, nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme të realizuara prej tyre.

Me vendimin me nr.529 date 09/12/2022, Gjykata e Rrethit Gjyqesor Vlorë, ka vendosur:

Pranimin e kërkesës dhe caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive të parashikuar nga neni 275 te K.Pr.Penale, mbi pasuritë e mëposhtme:

– Pasurinë e llojit Apartament Nr.1/3 (2+1), në katin e parë banim, sip ndërtimi 118,125m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova”, në pronësi të shtetases M. M.;

– Apartament Nr 7/3 (2+1), në katin e shtatë banim, me sip. 109,03 m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova”, në pronësi të shtetases M. M.;

– Apartament me Nr 7/1 (1+1), ne katin e shtatë banim, me sip 80.7 m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova, në pronësi të shtetases M.M.;

– Apartament me Nr 6/1 (2+1), në katin e gjashtë banim, me sip. ndërtimi 110,36m2, në Rrugën “Sul Bega”, “Objekti Riza Cerova”, në pronësi të shtetases M. M.

Pasuritë e mësipërme janë blerë nga ana e shtetasit V.Sh., sipas kontratës së sipërmarrjes për çmimin total 300.000 Euro, shumë e cila rezulton se është likujduar tërësisht jashtë zyrës noteriale.

– Njësia dyqan me sip. ndërtimi 122m2 dhe 2(dy) poste parkimesh (Nr.13 dhe 14) në Rrugën “Tefta Tashko Koço”, Bashkia Tiranë, në pronësi të shtetases M.M., të blera më parë nga ana e shtetasit V. Sh., me kontratë për shumën prej 100.000 eurosh;

– Pasuria nr.70/3 +2-103, ZK 2832 Orikum Vlorë, apartament me sip 52.27 m2, blerë sipas kontratës së shitjes për vlerën e 22.000 Euro. Shuma e likujduar tërësisht jashtë zyrës noteriale; dhe

– Pasuria nr.70/3 +2-111, ZK 2832 Orikum Vlorë, apartament me sip 54.50 m2, blerë blerë sipas kontratës për vlerën e 28.000 Euro.

Shtetasi V.Sh., është person i dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e autoriteteve italianë të drejtësisë, (Gjykata e Venecias; Gjykata e Ankonës; Gjykata e Apelit Romë; etj), për veprat penale të “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike”; “Shtrëngim për dhënie pasurie”; “Mbajtja pa leje e armëve”; “Transport dhe mbajtje e lëndëve narkotike në bashkëpunim”, vepra penale këto të parashikuara nga Kodi Penal Italian, të cilat shtetasi V. Sh., i ka kryer përgjatë viteve 2000-2007 në shtetin Italian.”