Forcat ukrainase kanë goditur të paktën 105 mjete lundruese ruse në Detin Azov gjatë tetë ditëve të fundit, në një ofensivë të intensifikuar që synon izolimin e Krimesë së pushtuar nga Rusia dhe goditjen e linjave logjistike detare të Moskës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës dhe komandantit të Forcave të Sistemeve Pa Pilot (USF), majorit Robert “Magyar” Brovdi, vetëm gjatë një nate janë goditur 10 anije, mes tyre tragete dhe cisterna që Rusia përdor për transportin e naftës dhe produkteve të naftës, si edhe për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, përcjell Euronews.
“Infrastruktura e transbordimit në gadishull po goditet çdo natë, trafiku në Ngushticën e Kerçit është ndalur dhe shkarkimi i mallrave është reduktuar në minimum,” shkroi Brovdi në Telegram.
Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj mjeteve detare në Detin Azov si pjesë e strategjisë për të penguar Rusinë të përshtatë logjistikën e saj, pas goditjeve të mëparshme ndaj rrugëve tokësore që lidhin Rusinë me Krimenë e pushtuar.
“Goditjet ukrainase ndaj transporteve detare të karburantit përfaqësojnë një fazë të re në përpjekjet për të izoluar Krimenë e pushtuar dhe për të ndërprerë rrugët detare ruse, veçanërisht për produktet e naftës dhe drithërat,” vlerëson ISW.
Deti Azov, i vendosur mes Rusisë, Krimesë së aneksuar dhe jugut të Ukrainës, është një korridor kyç për furnizimin e Krimesë dhe për eksportin e produkteve bujqësore, përfshirë drithërat e marra nga territoret e pushtuara ukrainase.
Goditjet kanë shkaktuar shqetësim edhe në kampin rus. Blogerë ushtarakë pranë Kremlinit kanë kritikuar mungesën e mbrojtjes ajrore dhe paaftësinë e autoriteteve për t’iu përgjigjur luftës moderne me dronë, duke paralajmëruar se Rusia po has vështirësi serioze në mbrojtjen e cisternave dhe anijeve të saj në Detin Azov.
Në reagimin e saj, Ministria ruse e Bujqësisë njoftoi se po shqyrtohen rrugë alternative detare në bashkëpunim me institucionet dhe komunitetin e biznesit, për të garantuar vazhdimin e eksporteve.
“Po hartohen rrugë alternative transporti. Situata në Detin Azov nuk do të ndikojë në furnizimin e tregut të brendshëm me ushqime apo në aftësitë eksportuese të vendit,” thuhet në deklaratë.
Edhe Ministria ruse e Transportit deklaroi se po merr masat e nevojshme për të siguruar funksionimin normal të logjistikës së mallrave, ndërsa ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se Moska po punon për të ndalur sulmet ukrainase.
