Vendosni fjalën kyçe....

Debat në Komision për pajisjet në QSUT/ Xhixho: 4.2 mln euro për Kanye West, jo për shëndetësinë. Shalsi: Nevojat janë plotësuar


Një dokument i publikuar së fundmi në media, që tregon një kërkesë të QSUT-së për donacione të pajisjeve mjekësore, është bërë objekt debati mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Shëndetësisë.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkoi që ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, të raportojë në komision për mungesat në QSUT, duke akuzuar qeverinë se ka lënë pas dore sistemin shëndetësor, ndërsa ka akorduar 4.2 milionë euro nga fondi rezervë për koncertin e Kanye West.

“Kemi kërkuar disa herë ministren e Shëndetësisë që të vijë të raportojë për situatën në Onkologjik, në Spitalin e Traumës dhe për çështje të tjera. Doja të denoncoja publikimin e QSUT-së, në një kohë që qeveria, me një akt normativ, çoi 4.2 milionë euro për koncertin e Kanye West, duke prekur fondin e rezervës, i cili duhet të përdoret vetëm në raste nevojash dhe urgjencash. Nuk ka respiratorë, defibrilatorë, brakiterapi, shiringa elektrike dhe 13 barela. Ne nuk kemi PET Scan, por po japim 4.2 milionë euro për një koncert. Të gjitha mungesat e QSUT-së mund të ishin rikuperuar me 2 milionë euro,” u shpreh Xhixho.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti demokrat Bardh Spahia, i cili kërkoi që ministrja e Shëndetësisë dhe drejtuesit e QSUT-së të japin shpjegime për situatën.

“Janë stivë kërkesat drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për çështje me rëndësi jetike për qytetarët shqiptarë. Ashtu siç është skandaloz përdorimi i fondeve për koncerte, ndërkohë që pacientët përballen me mungesa ilaçesh dhe aparaturash diagnostikuese e jetëshpëtuese. Dokumenti i QSUT-së ulëret për përgjegjësi madhore,” tha Spahia.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Komisionit të Shëndetësisë, Eduard Shalsi, hodhi poshtë akuzat, duke sqaruar se publikimi i nevojave në platformën e donacioneve të QSUT-së është një procedurë e detyrueshme me ligj dhe se pajisjet e listuara janë siguruar.

“Ka një platformë donacionesh në faqen zyrtare të QSUT-së, ku me ligj publikohen nevojat. Identifikimi i tyre kalon në disa procese dhe bëhet për transparencë dhe administrim të përgjegjshëm të pasurisë publike. Njoftimi është publikuar që në muajin shkurt dhe sot që flasim të gjitha ato nevoja janë plotësuar. Fillimisht nevojat shpallen, më pas mund të prokurohen ose, nëse ofrohen si donacion, hiqen nga procedura. Ky është niveli i debatit që duhet të bëjmë, nëse duam realisht të përmirësojmë sistemin shëndetësor,” deklaroi Shalsi.