Vendosni fjalën kyçe....

Koalicioni i të Gatshmëve mblidhet në Paris, Zelensky prezanton programin ukrainas kundër raketave balistike


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Paris për takimin e radhës të Koalicionit të të Gatshmëve, ku pritet të prezantojë programin e ri të Ukrainës për mbrojtjen kundër raketave balistike, në një kohë kur aleatët perëndimorë shpresojnë se përparimet e fundit të Kievit do ta shtyjnë presidentin rus Vladimir Putin drejt negociatave.

Në një postim në rrjetin social X, Zelensky tha se takimi mund të hapë mundësi të reja për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës.

“Prioriteti ynë kryesor është mbrojtja kundër raketave balistike. Do t’u prezantojmë partnerëve Programin tonë Kundër-Raketave Balistike dhe, për herë të parë, do të zhvillojmë një takim në nivel liderësh, këshilltarësh për sigurinë kombëtare dhe kompanish të mbrojtjes nga vendet që mund të japin një kontribut konkret në ndërtimin e një sistemi të ri kundër raketave balistike,” u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas shtoi se gjatë vizitës do të falënderojë Francën për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, ndërsa bëri të ditur se ushtarakë ukrainas do të marrin pjesë në paradën ushtarake me rastin e Ditës Kombëtare të Francës, 14 Korrikut.

“Do ta falënderojmë Francën për mbështetjen e saj historike dhe ushtarakët tanë do të marrin pjesë në paradën për Ditën e Bastijës. Falënderojmë të gjithë ata që qëndrojnë në krah të Ukrainës,” deklaroi ai.

Ndërkohë, Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, do të zhvillojë një takim me drejtorin e ri të përgjithshëm të UNESCO-s për të diskutuar bashkëpunimin e organizatës me Ukrainën.