Vendosni fjalën kyçe....

Trump: SHBA do të bëhet “roja e Ngushticës së Hormuzit”, tarifë 20% për ngarkesat detare


Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit dhe do të vendosin një tarifë prej 20% për të gjitha ngarkesat që kalojnë në këtë korridor strategjik detar.

Në një intervistë për Fox News, Trump zbuloi se Uashingtoni dhe Teherani kishin arritur një marrëveshje, e cila, sipas tij, u prish nga Irani në momentin e fundit, përcjell Ynet.

“Kishim një marrëveshje. Askush nuk e di këtë, por kishim një marrëveshje të përfunduar. Pastaj ata e shkelën. Ata gjithmonë i shkelin marrëveshjet. Kemi bërë 10 marrëveshje me këta njerëz,” tha Trump.

Më pas, në një postim në platformën Truth Social, presidenti amerikan njoftoi se SHBA do të marrë rolin e garantuesit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

“Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga ky moment, do të njihen si ‘Roja e Ngushticës së Hormuzit’. Ngushtica do të mbetet e hapur, me ose pa Iranin,” shkroi ai.

Trump njoftoi gjithashtu rikthimin e asaj që e quajti “bllokada iraniane”, e cila, sipas tij, do të zbatohet vetëm ndaj anijeve iraniane dhe vendeve që bashkëpunojnë me Iranin, ndërsa shtoi se vendet e tjera do të kenë akses të lirë në ngushticë.

“Do të kërkojmë rimbursim me normën 20% për çdo ngarkesë që transportohet, për të mbuluar kostot e garantimit të sigurisë. Procesi do të nisë menjëherë,” deklaroi Trump, pa dhënë detaje mbi mënyrën e zbatimit të tarifës.

Presidenti amerikan paralajmëroi se fushata ushtarake kundër Iranit do të vazhdojë pas dështimit të negociatave.

“I goditëm shumë fort mbrëmë. Sa herë që ata lëshojnë një dron, ne i godasim shumë fort. Do të vazhdojmë t’i godasim fort,” u shpreh ai.

Sipas Trump, të dielën ishte zhvilluar një raund bisedimesh që zgjati 11 orë, gjatë të cilit palët kishin rënë dakord për të gjitha çështjet, por delegacioni iranian u tërhoq më pas nga marrëveshja.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e Forcave të Armatosura të Iranit paralajmëroi se vazhdimi i sulmeve amerikane mund ta zgjerojë luftën në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Nëse sulmet vazhdojnë, flakët e luftës do të përfshijnë të gjitha vendet e rajonit,” thuhet në deklaratën e autoriteteve iraniane.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se kishte përfunduar valën e katërt të sulmeve ndaj objektivave iraniane brenda më pak se një jave. Sipas ushtrisë amerikane, objektivat përfshinin sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë, baza raketash dhe dronësh, si dhe mjete të vogla detare, me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të kërcënuar trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit.