
Arabia Saudite njoftoi mbrëmjen e së hënës se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë kapur raketa balistike të lëshuara nga rebelët Huthi drejt jugut të vendit.
Sipas raportimeve nga Jemeni, rebelët e mbështetur nga Irani kanë vënë në shënjestër disa aeroporte saudite, duke përdorur raketa hipersonike.
Sulmet thuhet se u kryen si hakmarrje për bombardimet saudite ndaj aeroportit të Sanasë, kryeqytetit të Jemenit që kontrollohet nga Huthët.
Media Sabereen News, e lidhur me milicitë pro-iraniane në Irak, raportoi veçmas se një nga objektivat e sulmit ishte Aeroporti Ndërkombëtar Abha, në jug të Arabisë Saudite, shkruan Ynet.
Pas sulmeve reagoi edhe zyrtari i lartë i Huthëve, Hezam al-Assad, i cili lëshoi një paralajmërim të ashpër.
“Ata i hapën vetes portat e ferrit. Ne u thamë: ose do të ketë linja ajrore, aeroporte, porte, trena, kompani nafte, anije, transport detar, investime dhe zhvillim për të gjithë, ose nuk do të ketë për askënd”, deklaroi ai.