
Protesta qytetare kundër qeverisë është mbyllur edhe këtë të diel në Tiranë, pas disa orësh tubim dhe marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku disa prej tyre dhanë deklarata për mediat, ndërsa të tjerë mbanin pankarta me mesazhe kritike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Më pas, protesta u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku për rreth dy orë qytetarë dhe aktivistë mbajtën fjalime, duke ngritur shqetësime për çështje të ndryshme. Ndër temat më të përmendura ishte edhe vendimi për alokimin e 4 milionë eurove për koncertin e artistit Kanye West, të cilin protestuesit e kritikuan si një përdorim të papërshtatshëm të fondeve publike.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin në disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke kaluar edhe në zonën e Ish-Bllokut. Gjatë lëvizjes, ata brohoritën slogane kundër qeverisë dhe kryeministrit, si edhe thirrje drejtuar qytetarëve që ndodheshin në lokalet e zonës për t’iu bashkuar protestës.
Në marshim u dëgjuan gjithashtu parulla kundër Partisë Socialiste dhe sistemit të patronazhistëve, ndërsa organizatorët përsëritën kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.