Vendosni fjalën kyçe....

Pas Tiranës edhe parlamenti italian miraton marrëveshjen për emigrantët


Senati i jep dritën jeshile projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë për emigrantët.

Projektligji u miratua në Senat me 93 vota pro dhe 61 kundër.

Sipas mediave Italiane, protokolli, i mbështetur fuqishëm nga kryeministri Giorgia Meloni si një nga pjesët e politikës së qeverisë së djathtë për emigrantët, parashikon krijimin e një hotspoti në portin e Shëngjinit dhe një CPR në brendësi pranë Gjaderit.

Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.

Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.