Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti të shtunën në kryeqytetin e Omanit, Muskat, për bisedime të nivelit të lartë me ndërmjetësit omanë lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit, mes tensioneve të vazhdueshme mes Teheranit dhe Uashingtonit, përcjell Fox News.
Takimi zhvillohet vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme me raketa ndaj objektivave në Iran, në përgjigje të sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas raportimeve të CBS News, që citojnë zyrtarë amerikanë, përfaqësues iranianë u kanë komunikuar privatisht autoriteteve amerikane se sulmet ndaj anijeve ishin një gabim dhe ia kanë atribuar ato elementëve të linjës së ashpër brenda Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Megjithatë, sipas një raporti të Axios, administrata amerikane po i kërkon Iranit që këtë qëndrim ta bëjë publik, duke vendosur si afat ditën e shtunë për një deklaratë zyrtare.
Në të njëjtën kohë, edhe Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një delegacion të nivelit të lartë në Oman për të zhvilluar bisedime me ndërmjetësit omanë.
Në delegacionin amerikan pritet të marrin pjesë zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Bisedimet në Muskat konsiderohen një përpjekje e re diplomatike për të ulur tensionet në Gjirin Persik dhe për të garantuar sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
