Vendosni fjalën kyçe....

Tre persona në kërkim arrestohen në pikat kufitare të Sarandës



Tre persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë dhe në Portin e Sarandës.

Në Qafë Botë u ndalua 20-vjeçari me iniciale J. L., banues në Sarandë, ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Ai ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Sipas Policisë, 20-vjeçari dyshohet se më 12 mars, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri tip “Kallashnikov” në ajër, në lagjen nr. 1 të Sarandës, duke shkaktuar prishjen e qetësisë publike.

Po në Qafë Botë u arrestua edhe 27-vjeçari me iniciale A. L., banues në Divjakë, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë nr. 3 në Tiranë për veprën penale “Kanosja”.

Ndërkohë, në Portin e Sarandës u ndalua 43-vjeçari Luiz Danddan, banues në Angli, i shpallur në kërkim kombëtar nga Policia e Sarandës për veprën penale “Mashtrimi”.

Tre personat janë shoqëruar për kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore dhe do t’u dorëzohen strukturave përgjegjëse për vijimin e veprimeve procedurale.