Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në Kinë/ Zjarri në një fabrikë këpucësh u merr jetën 28 personave, arrestohen pronarët


Një zjarr i fuqishëm që përfshiu një fabrikë këpucësh në provincën lindore Fujian të Kinës ka shkaktuar vdekjen e 28 personave, në një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit në vend.

Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, flakët shpërthyen të enjten në fabrikën e kompanisë Huiteng, në qytetin Jinjiang, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, përcjell AP.

Në momentin e incidentit, në godinë ndodheshin 237 punëtorë dhe dy vizitorë. Autoritetet arritën të evakuonin ose shpëtonin 213 persona, ndërsa 28 të tjerë humbën jetën. Dy prej viktimave ndërruan jetë pasi u transportuan në spital.

Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi një operacion të plotë kërkim-shpëtimi dhe urdhëroi zhvillimin e një hetimi të menjëhershëm për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, duke kërkuar gjithashtu që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar pronarin e fabrikës dhe persona të tjerë përgjegjës, ndërsa janë ngrirë edhe llogaritë bankare të kompanisë në kuadër të hetimeve.

Pamjet e publikuara nga televizioni shtetëror CCTV tregojnë godinën shumëkatëshe të nxirë nga flakët dhe të mbuluar nga tymi i dendur, ndërsa zjarri kishte përfshirë disa kate të fabrikës. Qyteti Jinjiang konsiderohet si një nga qendrat kryesore të industrisë së këpucëve në Kinë.