Anëtarë të dyshuar të Forcave Demokratike Aleate (ADF) kanë sulmuar një fshat në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, duke vrarë 10 civilë, transmeton Anadolu.
Kreu i qytetit Mangina, Nicolas Kambale, tha se sulmi, i cili ndodhi gjatë natës nga e mërkura në të enjte, u zhvillua në zonën e qytetit, në provincën Kivu e Veriut.
Ai tha se sulmuesit “të armatosur me thika dhe armë zjarri, ndërmorën sulme të njëkohshme” në fshatra të ndryshëm duke përfituar nga errësira.
“Dhjetë persona u vranë, por numri i viktimave mbetet i përkohshëm, pasi vazhdon kërkimi për disa persona të zhdukur”, u tha ai gazetarëve në Beni.
Kakule Vunyatsi, një drejtues i shoqërisë civile në zonë, tha se ata nisën të dëgjonin të shtëna rreth orës 18:00 me kohën lokale të mërkurën.
Ai i bëri thirrje ushtrisë që të ndjekë sulmuesit në bazat e tyre të fshehta për të ndihmuar në rikthimin e sigurisë.
Përveç vrasjeve, Vunyatsi tha se rebelët dogjën disa shtëpi dhe dëmtuan prona.
Sipas mediave lokale, sulmi i fundit e çoi numrin e të vrarëve nga sulmet e ADF-së në këtë zonë në 14 persona brenda vetëm 48 orëve dhe detyroi qindra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Të martën, katër civilë u raportuan të vrarë dhe gjashtë të tjerë të plagosur në një sulm të atribuar grupit rebel.
ADF, e cila ka qenë aktive në lindje të Kongos prej vitesh, është e lidhur me grupin militant DEASH.
Që nga viti 2021, forcat e Ugandës dhe të Kongos kanë zhvilluar operacione të përbashkëta kundër rebelëve të ADF-së.
Amnesty International tha në një raport në muajin maj se, megjithëse ADF-ja sulmon edhe forcat e sigurisë, objektivi kryesor i saj në vitet e fundit kanë qenë civilët – jo vetëm për të grabitur ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera, por edhe si hakmarrje ndaj operacioneve ushtarake.