Vendosni fjalën kyçe....

“Po kryhet dezinfektim rutinë” – Spitali i Traumës reagon pas lajmeve për mbylljen e sallave të operacioneve


Spitali Universitar i Traumës ka reaguar lidhur me lajmet se ditën e hënë dhe të martë do jenë të mbyllura sallat e operacioneve në Spitalin e Traumës, për shkak të ndotjes së tyre.

Në një deklaratë në faqen zyrtare të “Facebook”-ut, Spitali i Traumës thotë se po kryhet procesi i dezinfektimit rutinë.

“Spitali Universitar i Traumës reagon pas lajmit të publikuar nga Neës 24, se sallat e operacionit në Spitalin e Traumës janë mbyllur informon se ky është një lajm i pavërtetë. Aktualisht në sallat e operacionit janë duke u kryer ndërhyrjet e planifikuara të ditës së sotme.

Sa i takon procesit të dezinfektimit informojmë se në ambientet e disa prej sallave kirurgjikale të spitalit do të kryhet në ditët e ardhshme proçesi i dezinfektimit rutinë, procedurë kjo në zbatim të standardeve të sigurisë, të higjienës dhe cilësisë së shërbimit.

Kjo është një procedurë periodike që kryhet për sallat operatore dhe që nuk cënon aspak shërbimin e urgjencës kirurgjikale, blloku operator i të cilës, është në gatishmëri e në funksion të plotë 24/7 për shërbimet ndaj pacientëve.”– thuhet në njoftimin për mediet.