Vendosni fjalën kyçe....

Këmbim valutor pa licencë/ Operacion në Berat, 11 masa sigurie, sekuestrohen mbi 8.8 mln lekë, mijëra euro e dollarë


Policia e Beratit ka ekzekutuar 11 masa sigurie në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.

Sipas autoriteteve, katër persona janë lënë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa për shtatë të tjerë gjykata ka caktuar masat “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Nga hetimet ka rezultuar se në gjashtë subjekte të transfertave të parave, të vendosura në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal, të administruara ose ku ishin të punësuar personat nën hetim, ushtrohej aktivitet i këmbimit valutor pa licencën përkatëse, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8.808.000 lekë, 118.425 euro, 7.390 dollarë amerikanë, 665 paund britanikë dhe 110 franga zvicerane. Po ashtu, u sekuestruan 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe 1 laptop, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve.

Prokuroria e Beratit dhe Policia bëjnë me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm, si dhe për përcaktimin e përgjegjësive penale të të gjithë personave të përfshirë në këtë skemë.