Protestuesit janë nisur në marshim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë drejt Komisariatit Nr. 1, ku po mbahen gjashtë persona të arrestuar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit.
Të rinjtë kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve përgjatë itinerarit të marshimit, ndërsa kanë bërë thirrje për lirimin e të arrestuarve dhe kanë kërkuar arrestimin e kryeministrit Edi Rama.
Sipas organizatorëve, marshimi është një akt solidariteti me protestuesit e ndaluar nga policia, të cilët, sipas tyre, u arrestuan në mënyrë të dhunshme pas tubimit të së hënës.
Gjatë marshimit, protestuesit janë përshëndetur edhe nga disa drejtues mjetesh, të cilët kanë ndaluar automjetet në shenjë mbështetjeje për tubimin.
Këtë të martë, gjashtë protestues u shoqëruan dhe më pas u arrestuan nga Policia e Shtetit pas protestës së mbajtur para Kuvendit, ndërsa aktualisht ndodhen në ambientet e Komisariatit Nr. 1 të Tiranës.
