Vendosni fjalën kyçe....

Dita e 30 e protestave, qytetarët rikthehen në shesh, kërkojnë largimin e Edi Ramës


Protestat kundër qeverisë hyjnë sot në muajin e dytë, ndërsa në Tiranë pritet të zhvillohet tubimi i 30-të radhazi.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi, por edhe shqiptarëve të diasporës, që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se lëvizja do të vijojë deri në arritjen e objektivit të saj.

Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të nisë në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”. Më pas, pjesëmarrësit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të përsëriten kërkesat drejtuar qeverisë.

Sipas organizatorëve, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilën ata e cilësojnë si të panegociueshme. Ata kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në largimin e kreut të qeverisë.

Tubimi i sotëm shënon një muaj nga nisja e protestave në kryeqytet, të cilat gjatë javëve të fundit janë shoqëruar me marshime në rrugët e Tiranës, thirrje kundër qeverisë dhe pjesëmarrje të qytetarëve nga qytete të ndryshme të vendit, si edhe nga diaspora shqiptare.