Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthime në disa qytete të mëdha në Ukrainë, nuk kursehen as kopshtet


Disa qytete të mëdha të Ukrainës, duke përfshirë Dnipro dhe Lutsk, janë duke u sulmuar nga forcat ruse. Mykhailo Podoliak, një këshilltar i kreut të zyrës së Presidentit ukrainas tha të premten se këto qytete po “u nënshtrohen goditjeve shkatërruese”.

“Dnipro është gjithashtu nën sulm.“-shtoi ai. “Lufta shkatërruese e Rusisë kundër civilëve dhe qyteteve të mëdha vazhdon.”

Shpërthime në Lutsk, një i vdekur

Kryebashkiaku i Lutsk raportoi shpërthime në një aeroport në qytet, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve UNIAN. Ky qytet nuk ishte sulmuar më parë.

“Shpërthime në drejtim të fushës ajrore. Të gjithë në strehë!”- citohet të ketë thënë kryetari i bashkisë Ihor Polishchuk.

Të paktën një person u vra nga shpërthimet në këtë qytet. Kështu tha kryetari i bashkisë Polishchuk në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

“Sot rreth orës 5:45 ka pasur tre shpërthime. Tre raketa goditën aeroportin tonë ushtarak. Ka një të vdekur. Informacioni për të plagosurit po sqarohet. SES (Shërbimi Shtetëror i Emergjencave) po punon në vendngjarje.”– tha ai, citon CNN.

Polischuk shtoi se sistemi i alarmit të qytetit “nuk funksionoi fare” dhe “administrata ushtarake dhe ushtria do të punojnë për këtë çështje”.

Ai shtoi: “Ju lutemi mos qëndroni pranë dritares gjatë shpërthimeve, mos bëni foto dhe video dhe më pas mos i publikoni në rrjetet sociale, sepse armiku po i ndjek të gjitha këto mesazhe. Ky është informacion shtesë për armikun. Nëse ka shpërthime, ju lutem vazhdoni në streha.”

Shpërthime në Dnipro, një i vdekur

Shërbimi i Urgjencës i Ukrainës tha se një person në qytetin e Dnipros vdiq të premten pas tre sulmeve ajrore në mëngjes herët që goditën një kopsht fëmijësh, një ndërtesë apartamentesh dhe një fabrikë këpucësh dykatëshe.

Sulmet ajrore ndodhën rreth orës 6:10 të mëngjesit me orën lokale në lagjen Novokodatskyi të qytetit, tha Shërbimi i Emergjencave.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës shkroi në një kanal zyrtar Telegram: “Më 11 mars rreth orës 6:10 të mëngjesit, pati tre sulme ajrore në rrethin Novokodatsky të qytetit Dnipro, konkretisht: një sulm pranë një kopshti parashkollor dhe një ndërtese apartamentesh, si dhe një tjetër që goditi një fabrikë këpucësh dykatëshe dhe shkaktoi zjarr.”

Në fillim të kësaj jave, një zyrtar ukrainas paralajmëroi se plani i Rusisë ishte të “rrethonte qytetet kryesore, të zhdukte Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe të krijonte një situatë katastrofe humanitare për civilët”.