
Një turist britanik pohoi se kishte ardhur nga Anglia vetëm për të marrë pjesë në protestë. Ai hodhi poshtë deklaratat e qeverisë se protesta po tremb turistët.
Turisti shtoi se shqiptarët duhet të rezistojnë kundër projekteve që cenojnë interesin publik.
Ai iu bashkua thirrjeve për dorëheqjen e qeverisë Rama.
“Edi Rama tha se turistët janë të trembur të vijnë se ka protesta këtu. Unë erdha nga Mbretëria e Bashkuar për të thënë këtu se ato janë broçkulla. Ky vend është shumë i bukur për ta shitur. Edi Rama jepe dorëheqjen. Shqipëri e re.”, tha ndër të tjera i riu.
Një protestues nga Peqini tha se ka ardhur në protestë pasi në qytetin e tij s’ka rrugë dhe se tenderat janë vjedhur.
“Ne jemi kombi më i vuajtur pasi na kanë trajtuar si banda kriminale. Peqini sot është një qytet i mbaruar, është marrë peng nga bandat. Janë vjedhur tenderat, nuk ka asnjë kilometër rrugë të shtruara, Rama duhet të shkojë në burg. Nëse nuk shkon në burg këtu do të derdhet gjak”, tha ai.