Vendosni fjalën kyçe....

“Ja ky është shteti, asnjë masë s’marrin. Kjo gjë ndodh përherë këtu” – Zjarr në periferi të Vlorës


Një vatër zjarri është regjistruar mesditën e së shtunës në periferi të qytetit të Vlorës, në zonën pranë ish-fushës së aviacionit.

Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të mbuluar me barishte të thata dhe shkurre, duke iu afruar banesave që ndodhen pranë zonës së prekur.

Banorët e zonës shprehen se incidente të tilla ndodhin pothuajse çdo verë, duke ia atribuar situatën mungesës së pastrimit dhe mirëmbajtjes së territorit. Sipas tyre, ndërhyrjet për eliminimin e barërave të thata nuk janë të mjaftueshme, çka rrit rrezikun e përhapjes së zjarreve gjatë sezonit të nxehtë.

Një prej banorëve deklaroi se problematika është e përsëritur dhe se zjarret kanë shpërthyer disa herë edhe gjatë javëve të fundit, duke kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse.

“Ky është shteti që i lë këto. Duhet të marrë masa. Këtu në këtë vend kjo gjë ndodh përherë. Erdhën ata të mbeturinave këtu, pastruan një çikë dhe ikën. U mbytëm, u mbytëm. Ka një javë ky probolem.”

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre drejt zonave të banuara.