Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Media izraelite zbulon lidhjet e aksionerit të Jet Bank me Ramën


Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, bazuar në një publikim të një investigimi nga një media izraelite, pretendon se janë konfirmuar lidhjet mes aksionerit të Jet Bank, Saniel Sanilevich, dhe kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi deklaron se prej pesë muajsh ka ngritur publikisht shqetësime lidhur me procesin e licencimit të Jet Bank dhe ka kërkuar sqarime nga Banka e Shqipërisë.

Sipas tij, investigimi i medias izraelite ka hedhur dritë mbi identitetin e personave që qëndrojnë pas bankës digjitale dhe mbi raportet e tyre me kryeministrin shqiptar.

“Media izraelite ka hedhur dritë mbi një nga ato rastet kur Edi Rama zgjohet i pari dhe fle i fundit për qokat e pazaret e tij personale duke shfrytëzuar Shqipërinë. Tek ky investigim del emri i Saniel Sanilevich, që televizioni izraelit e cilëson mik të ngushtë të Edi Ramës,” shkruan Këlliçi.

Sipas tij, Sanilevich rezulton aksioner i Jet Bank, ndërsa ai pretendon se procedura e licencimit të institucionit financiar është kryer me shpejtësi të pazakontë dhe pa transparencën e duhur.

Këlliçi thotë se Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Bankës së Shqipërisë dhe guvernatorit Gent Sejko për të kërkuar informacion mbi kriteret dhe procedurat e ndjekura për licencimin e bankës.

“Prej 5 muajsh publikisht dhe zyrtarisht i jemi drejtuar Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatorit Sejko që të japë sqarime se si u licencua kjo bankë në kohë rekord, a janë plotësuar kriteret ligjore dhe a kanë kaluar në skanerin e duhur përfituesit,” shprehet ai.

“Tani media izraelite na ndihmon të kuptojmë se kush fshihet pas Jet Bank. Është vetë Edi Rama, përmes mikut të tij të ngushtë,” shkruan ai.

 

Postimi i Këlliçit:

Zbulohet kush fshihet pas Jet Bank, miku i ngushtë i Edi Ramës, ajo çka kam 5 muaj e paralajmëroj në Kuvend dhe në media!

Media izraelite ka hedhur dritë mbi një nga ato rastet kur Edi Rama zgjohet i pari dhe fle i fundit për qokat e pazaret e tij personale duke shfrytëzuar Shqipërinë.

Tek ky investigim, del emri i Saniel Sanilevich, që televizioni izraelit e cilëson mik të ngushtë të Edi Ramës.

Ky i fundit gjendej në vitin 2023 në një vizitë private në shtëpinë e Sanilevich dhe po shijionte verë në kantinën e tij.

Skandali që ka publikuar UVDA, me përgjime dhe prova, lidhet me emërimin e konsullit shqiptar në Tel Aviv.

Por historia tjetër që na shfaqet këtu, ka të bëjë me Jet Bank dhe mungesën e transparencës për liçensimin e saj. Miku i ngushtë i Edi Ramës, Saniel Sanilevich, është aksioner i kësaj banke digjitale.

Prej 5 muajsh publikisht dhe zyrtarisht i jemi drejtuar Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatorit Sejko, të japë sqarime se si u liçensua kjo bankë në kohë rekord, a janë plotësuar kriteret ligjore dhe a kanë kaluar në skanerin e duhur përfituesit.

Ne kemi ofruar të dhëna se ka shkelje të procedurave, ka shkelje të ligjit.

E gjitha kjo në kohën kur Shqipërisë i kërkohet të luftojë pa kompromis pastrimin e parave dhe kur vendi ynë për fat të keq është kthyer në fole të skemave mashtruese me Forex dhe Call Centera.

Kuptohet, Sejko hesht!!!

Tani media izraelite na ndihmon të kuptojmë se kush fshihet pas Jet Bank.

Është vetë Edi Rama, përmes mikut të tij të ngushtë.

Kaq të forta janë lidhjet mes Ramës dhe Sanilevich sa Kryeministri i vendit shkon në shtëpinë e tij private në një vizitë sekrete, të panjoftuar askund.

Është vetë aksioneri i Jet Bank që ka folur për këtë media dhe ka konfirmuar këtë vizitë, raportin e miqësinë e ngushtë me Edi Ramën.

Një konfirmim në fakt i trafikut të influencës dhe pazareve që Kryeministri bën me pasuritë e vendit e liçensat e vendit.

Pas këtij zbulimi, sa do të vazhdojë të heshtë Guvernatori i Bankës Qëndrore, Gent Sejko???!!!

Po Edi Rama që zgjohet i pari dhe fle i fundit, duke plaçkitur deri në palcë Shqipërinë, a ka përgjigje?!