Vendosni fjalën kyçe....

SPAK jep pretencën për bashkëpunëtorët e Veliajt, kërkon burg për Fatmir Bektashin dhe Elman Abulen


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur këtë të martë pretencën në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për një pjesë të ndarë të dosjes që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për tetë të pandehur që kanë zgjedhur të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe që akuzohen si bashkëpunëtorë të Veliajt në çështjen nën hetim.

Sipas kërkesës së SPAK, për biznesmenin Fatmir Bektashi është kërkuar dënimi me 1 vit burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj burg. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu pezullimin e ushtrimit të funksioneve publike dhe detyrimin për punë në interes publik.

Për kompaninë e tij, “Kontakt” sh.p.k., SPAK ka kërkuar një gjobë prej 583 mijë lekësh.

Ndërkohë, për Ina Goxhajn është kërkuar dënimi me 7 vite burg, i cili me përfitimin e gjykimit të shkurtuar ulet në 4 vjet e 8 muaj. Prokuroria ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë pesëvjeçare.

Për biznesmenin Elman Abule, SPAK ka kërkuar 7 vite burg, të reduktuara në 4 vjet e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërsa për Frosina Bollon është kërkuar dënimi me 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj.

Për organizatën jofitimprurëse “Frobolus” është kërkuar një gjobë prej 500 mijë lekësh, e cila reduktohet në 333 mijë lekë.

SPAK ka kërkuar gjithashtu 7 vite burg për Adela Kondakçin, që me gjykim të shkurtuar zbret në 4 vjet e 8 muaj, ndërsa është kërkuar përjashtimi i saj nga vuajtja e dënimit.

Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka është kërkuar dënimi me gjobë në masën 600 mijë lekë, e reduktuar në 400 mijë lekë.

Ndërkohë, për Flutura Xhanin është kërkuar një gjobë prej 60 mijë lekësh, e cila me gjykim të shkurtuar zbret në 40 mijë lekë.

Për Fatjon Baçin, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 5 vite burg, i reduktuar në 3 vjet e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe pezullimin e vuajtjes së dënimit me kalimin në shërbim prove.