Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me kundërshtimet ndaj projektit turistik në Zvërnec, duke u bërë thirrje protestuesve që të përzgjedhin një grup përfaqësuesish për një bashkëbisedim publik mbi çështjen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe aktivistëve që kundërshtojnë investimin në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Rama i ftoi ata të zgjedhin deri në 20 përfaqësues për të zhvilluar një diskutim të hapur mbi të gjitha temat që lidhen me projektin dhe debatet e krijuara rreth tij.
“Mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni,” shkruan kryeministri.
Në mesazhin e tij, Rama tha se është i gatshëm të diskutojë për çështje të ndryshme që janë ngritur nga protestuesit, përfshirë Zvërnecin, transparencën, pronat, investimet e huaja, mbrojtjen e natyrës dhe incidentet e raportuara gjatë ditëve të fundit.
“Mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat apo për çdo çështje tjetër me interes publik,” shprehet ai.
Postimi i plotë:
Çuna❤️
Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.
Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?
Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.
Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona të ndara:
ju në kor me robt e shtëpisë time,
unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian🇦🇱
