Kompania Nvidia ka prezantuar një vizion të ri për të ardhmen e kompjuterëve personalë, duke zbuluar platformën RTX Spark gjatë konferencës GTC në Taipei, një teknologji që synon ta shndërrojë kompjuterin tradicional në një makinë autonome të inteligjencës artificiale.
Njoftimi u bë nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, gjatë panairit Computex 2026 në Tajvan, ku Nvidia prezantoi një linjë të re procesorësh të zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft. Sipas kompanisë, kjo teknologji do të mundësojë ekzekutimin lokal të agjentëve autonomë të inteligjencës artificiale, pa pasur nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga shërbimet cloud.
Sipas drejtuesve të Nvidia-s, epoka ku përdoruesit komunikojnë me modele si ChatGPT, Gemini apo Claude vetëm përmes bisedave tekstuale po i afrohet fundit.
“Agjentët autonomë janë ngarkesa e re e punës në informatikë,” deklaruan zyrtarët e kompanisë.
Ndryshe nga asistentët tradicionalë të inteligjencës artificiale, këta agjentë do të jenë në gjendje të vendosin objektiva, të përdorin mjete dixhitale, të vlerësojnë vetë cilësinë e punës së tyre dhe të kryejnë detyra afatgjata edhe kur përdoruesi nuk ndodhet pranë kompjuterit.
Për të fuqizuar këtë gjeneratë të re kompjuterësh, Nvidia prezantoi procesorin RTX Spark Superchip, të bazuar në arkitekturën Arm dhe të zhvilluar në bashkëpunim me TSMC dhe MediaTek.
Procesori përfshin 20 bërthama CPU të projektuara posaçërisht, një procesor grafik Blackwell me 6.144 bërthama CUDA dhe deri në 128 GB memorie të unifikuar LPDDR5X me shpejtësi transferimi deri në 300 GB për sekondë.
Kompjuterët e parë me këtë teknologji pritet të dalin në treg që këtë vjeshtë dhe do të prodhohen nga Dell, Lenovo, Microsoft, HP, Asus dhe MSI. Pajisjet do të kenë dizajn ultra të hollë, me trashësi që nis nga 14 milimetra dhe peshë nën 1.3 kilogramë.
Nvidia po synon segmentin premium të tregut, duke i orientuar këto produkte kryesisht drejt krijuesve të përmbajtjes, zhvilluesve të inteligjencës artificiale dhe lojtarëve profesionistë.
Hyrja e Nvidia-s në tregun e kompjuterëve personalë konsiderohet një sfidë e drejtpërdrejtë për Intel, AMD dhe Qualcomm, kompani që kanë dominuar prej dekadash këtë sektor. Në të njëjtën kohë, Apple po ndjek një strategji tjetër, duke synuar tregun e mesëm dhe sektorin e arsimit me linjën e re MacBook Neo me çmime më të ulëta.
Paralelisht me RTX Spark, Nvidia prezantoi edhe platformën cloud Vera Rubin, ndërsa Intel njoftoi procesorët e rinj Xeon 6+ për qendrat e të dhënave dhe aplikacionet e inteligjencës artificiale.
Intel deklaroi se deri në vitin 2030 shumica e qendrave të të dhënave do të fokusohen në operimin e aplikacioneve dhe agjentëve të AI-së, më shumë sesa në trajnimin e modeleve të mëdha si GPT apo Gemini. Për këtë arsye, kompania po promovon konceptin e ri të “Qendrës së Inteligjencës”, të dedikuar për funksionimin e agjentëve autonomë në fusha si shërbimi ndaj klientit dhe automatizimi i proceseve.
Analistët vlerësojnë se prezantimi i RTX Spark mund të shënojë një nga transformimet më të mëdha të industrisë së kompjuterëve personalë që nga ardhja e internetit dhe telefonave inteligjentë, duke hapur një garë të re mes gjigantëve globalë të teknologjisë për dominimin e epokës së inteligjencës artificiale.
