Kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, ka sinjalizuar se një marrëveshje me Ukrainën për të drejtat e pakicës hungareze është pranë finalizimit, duke hapur rrugën për heqjen e vetos së Budapestit ndaj procesit të anëtarësimit të Kievit në Bashkimin Europian.
Gjatë një konference për shtyp në Berlin, pas një takimi dypalësh me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Magyar u shpreh optimist për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kahershme mes dy vendeve, përcjell Euronews.
“Negociatat po ecin në mënyrë inkurajuese. Jam shumë optimist se mund të arrijmë një zgjidhje për çështjen e pakicës hungareze. Madje, një marrëveshje në nivel teknik mund të arrihet që këtë javë,” deklaroi ai.
Kryeministri hungarez shtoi se është i gatshëm të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në fillim të javës së ardhshme, nëse palët bien dakord për çështjet që ai i cilësoi si të drejta themelore të njeriut.
Deklaratat e Magyar vijnë në një moment kur diplomatët europianë flasin për përparim të ndjeshëm në bisedimet mes Budapestit dhe Kievit.
Sipas burimeve diplomatike, Hungaria mund të heqë veton ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit të Ukrainës deri më 16 qershor.
Një vendim i tillë do t’i jepte fund muajve të bllokimit politik në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe do të përmirësonte ndjeshëm marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Hungarisë.
Për më tepër, ai do të ndikonte pozitivisht edhe në procesin e integrimit europian të Moldavisë, pasi në qarqet e BE-së kandidaturat e Ukrainës dhe Moldavisë konsiderohen të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Sipas një dokumenti paraprak të samitit të liderëve të Bashkimit Europian, që do të zhvillohet më 18 qershor, është përfshirë një referencë për përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, çka shihet si tregues i mundshëm i një kompromisi të afërt.
“Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar për të mbështetur riparimin, rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës, si pjesë e rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE,” thuhet në draftin e dokumentit.
Një zyrtar europian deklaroi se përgatitjet për mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian po zhvillohen me supozimin se çështja do të jetë zgjidhur deri atëherë.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, raportohet se ka qenë i përfshirë intensivisht në negociata, ndërsa komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur gjithashtu optimizëm se grupi i parë i kapitujve të negociatave mund të hapet gjatë muajit qershor.
Ndërkohë, Magyar ka siguruar së fundmi lirimin e 16.4 miliardë eurove fonde europiane për Hungarinë pas një takimi me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Megjithëse ai mohoi çdo lidhje mes zhbllokimit të fondeve dhe negociatave për Ukrainën, kryeministri hungarez theksoi se ende pret garanci nga Kievi për respektimin e të drejtave të pakicës hungareze, duke lënë të kuptohet se mund të mos jetë e nevojshme ndryshimi i legjislacionit ukrainas.
Heqja e vetos së Hungarisë konsiderohet kusht thelbësor për hapjen e grupit të parë të kapitujve të negociatave, që përfshin çështje themelore si sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe kontrolli financiar.
Burime diplomatike europiane shprehen se po bëhen përpjekje intensive për të arritur një kompromis, por paralajmërojnë se ende është herët për të parashikuar formulimin përfundimtar të vendimeve që do të miratohen nga liderët e BE-së.
