Vendosni fjalën kyçe....

U plagos gjatë konfliktit me armë, policia arreston edhe kreun e Njësisë Administrative Kallmet


Policia ka arrestuar kreun e Njësisë Administrative Kallmet, pasi u përfshi në ngjarjen ku mbeti i plagosur ai vetë si dhe autori i dyshuar Altin Marku.

Ndërkohë që dje u arrestua për plagosjen e Besnik Simonit edhe Altin Marku, i cili gjithashtu kishte një plumb në krah, çka për policinë ka ngritur dyshime se ka pasur një shkëmbim zjarri mes tyre.

Besnik Simonit ju komunikua arresti gjatë mjekimit në spital.

Në njoftimin e saj policia thotë se shtetasit janë konfliktuar për motive të dobta dhe kanë qëlluar njëri tjetrin me pistoleta. 

Autoritetet sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 01.04.2022, në Kallmet të Lezhës, ku si pasojë e një konflikti me armë zjarri mbeti i plagosur kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, shtetasi B. S., shërbimet e Policisë, pas disa orë kërkimesh, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. M., i cili në momentin e kapjes është konstatuar se ka qenë i plagosur me armë zjarri, për këtë arsye është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, ku ka rezultuar se:
Më datë 01.04.2022, rreth orës 13:15, në fshatin Kallmet, Lezhë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmëndur kanë qëlluar me armë zjarri pistoleta, në drejtim të njëri-tjetrit dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi B. S., i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, është transportuar në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shtetasi A. M. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur për disa orë, deri sa është lokalizuar dhe është arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Kallmet-Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
B. S., 42 vjeç, banues në fshatin Kallmet, Lezhë, me detyrë administrator i Njësisë Administartive Kallmet, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. M., si dhe dy automjete.
Vijon puna për gjetjen e armës tjetër pistoletë, të përdorur gjatë konfliktit.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.