Drejtori i ri i Mossadit, Roman Gofman, deklaroi se boshti shiit i udhëhequr nga Irani ka pësuar një goditje të rëndë si rezultat i operacioneve të Izraelit dhe Mossadit gjatë konflikteve të fundit në rajon.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës në krye të shërbimit sekret izraelit.
Gofman u drejtua para stafit të Mossadit duke vlerësuar rolin e agjencisë në sigurinë e Izraelit, sipas JP.
“Ju jeni zëri i heshtur dhe forca e Shtetit të Izraelit dhe e kombit hebre. Hyj me përulësi në këtë vend të shenjtë, i gatshëm të mbështetem te njohuritë dhe përvoja juaj,” tha ai.
Shefi i ri i Mossadit theksoi se ndryshimi strategjik që Izraeli i imponoi Iranit ka ndryshuar ekuilibrat e fuqisë në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Ky ndryshim strategjik ka ndryshuar balancën e pushtetit në të gjithë rajonin,” deklaroi Gofman.
Megjithatë, ai paralajmëroi se përballja me kërcënimin iranian është larg përfundimit dhe premtoi se Mossadi do të vazhdojë të zhvillojë kapacitete dhe strategji të reja në fshehtësi.
“Mossadi do të vazhdojë të veprojë në hije për të zhvilluar aftësi dhe strategji të reja që do të befasojnë kundërshtarët e Izraelit,” u shpreh ai.
Në të njëjtën ceremoni, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kushtoi vlerësime të veçanta Gofmanit, duke theksuar rrugëtimin e tij nga emigrant nga Bjellorusia në drejtues të shërbimit më të rëndësishëm sekret të vendit.
Netanyahu deklaroi se pas sulmeve izraelite ndaj Iranit gjatë viteve 2025 dhe 2026, regjimi iranian nuk do të jetë më në gjendje të kërcënojë Izraelin si më parë.
“Regjimi iranian nuk do të rikthehet të kërcënojë ekzistencën tonë siç ka bërë në të kaluarën përmes avancimit drejt armës bërthamore apo grumbullimit masiv të raketave balistike,” tha ai.
Gofman, 49 vjeç, zëvendëson në krye të Mossadit David Barnea, i cili përfundoi mandatin pesëvjeçar në krye të agjencisë.
Emërimi i tij u miratua nga qeveria izraelite në prill, por u bë zyrtar vetëm pasi mori miratimin përfundimtar nga Gjykata e Lartë e Izraelit.
Para se të merrte drejtimin e Mossadit, Gofman shërbeu si sekretar ushtarak i Benjamin Netanyahut dhe më herët ka mbajtur poste të rëndësishme në ushtrinë izraelite.
Emërimi i tij ka shkaktuar debate brenda establishmentit të sigurisë izraelite, ndërsa disa ish-zyrtarë të Mossadit kishin kundërshtuar kandidaturën e tij.
Megjithatë, Gofman tashmë merr drejtimin e një prej agjencive më të fuqishme të inteligjencës në botë në një moment tensionesh të larta rajonale.
