Vendosni fjalën kyçe....

Ish-zyrtari i CIA-s akuzohet se vodhi 40 milionë dollarë në lingota ari nga agjencia


Prokurorët amerikanë akuzojnë një ish-zyrtar të CIA-s se ka vjedhur 303 shufra ari me vlerë mbi 40 milionë dollarë nga agjencia e inteligjencës dhe i ka fshehur në shtëpinë e tij në shtetin e Virxhinias, sipas një kallëzimi penal dhe zyrtarëve aktualë e ish-zyrtarëve amerikanë.

Sipas prokurorëve, David J. Rush nga Virxhinia, i përshkruar në dokumentet gjyqësore si ish-ekzekutiv i lartë me autorizim sigurie “top sekret”, gjithashtu mashtroi eprorët e tij për arsimimin dhe shërbimin ushtarak, duke pretenduar në mënyrë të rreme se kishte diploma universitare që nuk i zotëronte dhe se kishte përfituar 77 mijë dollarë pagesa për leje ushtarake që nuk i takonin.

Rush u arrestua javën e kaluar dhe u akuzua për vjedhje të fondeve publike. Avokatja e tij, Jessica N. Carmichael, refuzoi të komentojë.

Ndërsa shumë hollësi të çështjes mbeten të paqarta, rasti ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve të sigurisë të qeverisë amerikane ndaj Rush-it, si dhe mbi mënyrën se si ai dyshohet se arriti të bindte eprorët t’i besonin dhjetëra milionë dollarë në ar dhe sasi të mëdha valutash të huaja.

Rush kishte deklaruar se fondet ishin të destinuara për “shpenzime të lidhura me punën”, sipas një deklarate të dorëzuar në Gjykatën Federale të Distriktit Lindor të Virxhinias.

Një ish-zyrtar amerikan i njohur me çështjen, që foli në kushte anonimiteti për shkak të hetimit në vijim, tha se Rush kishte punuar në Drejtorinë e Shkencës dhe Teknologjisë të CIA-s, e cila zhvillon mjete të teknologjisë së lartë për misionet e spiunazhit të agjencisë.

Zëdhënës të CIA-s dhe FBI-së thanë në një deklaratë të përbashkët se më 19 maj FBI “arrestoi një individ pas një referimi nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës. Pasi një hetim i brendshëm i CIA-s identifikoi shkelje të mundshme të ligjit, drejtori i CIA-s John Ratcliffe ia referoi informacionin FBI-së për hetim penal.”

“FBI po punon ngushtë me partnerët tanë në CIA dhe Departamentin e Drejtësisë ndërsa vijojmë të hetojmë plotësisht këtë çështje,” thuhej në deklaratë.

Deklarata e një agjenti special të FBI-së thotë se Rush bëri disa kërkesa për ar dhe para të gatshme midis muajve nëntor dhe mars. Një kontroll i mëvonshëm në zyrën e tij qeveritare zbuloi se vetëm një pjesë e valutës ndodhej aty. CIA nuk mundi të gjente shufrat e arit apo pjesën tjetër të parave.

FBI ekzekutoi një urdhër kontrolli në shtëpinë e Rush më 18 maj.

“Gjatë kontrollit, agjentët e FBI-së sekuestruan rreth 303 shufra ari, secila me peshë afërsisht një kilogram. Bazuar në çmimin e arit, vlera e tyre vlerësohet të kalojë 40 milionë dollarë,” thuhet në deklaratë. FBI gjithashtu sekuestroi rreth 2 milionë dollarë në para të gatshme.

“Gjithashtu, agjentët sekuestruan rreth 35 ora luksoze, shumë prej tyre të markës Rolex,” shton dokumenti.

Rush hoqi dorë nga e drejta për një seancë paraprake dhe aktualisht mbahet në paraburgim nga Shërbimi Amerikan i Marshallëve. Një seancë për paraburgimin është planifikuar për 5 qershor.

Punonjësit e agjencive amerikane të inteligjencës zakonisht i nënshtrohen kontrolleve rigoroze të sigurisë, përfshirë verifikimin e arsimimit, punësimeve të mëparshme, udhëtimeve dhe lidhjeve personale.

Deklarata e FBI-së e përshkruan Rush si “një ish-punonjës në nivelin e Shërbimit Ekzekutiv të Lartë në një agjenci të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, i cili zotëronte autorizim sigurie për informacion të klasifikuar “top sekret”.

Sipas dokumentit, Rush dyshohet se kishte mashtruar CIA-n – ku duket se ishte punësuar rreth vitit 2009 – në lidhje me diplomat universitare dhe statusin e tij ushtarak.

Ai pretendonte se kishte një diplomë Bachelor nga Universiteti Clemson dhe një diplomë master nga Instituti Politeknik Rensselaer.

Hetimi i FBI-së nuk gjeti asnjë provë që Rush kishte ndjekur ndonjërin prej këtyre institucioneve dhe as prova që mbështesnin pretendimin e tij se kishte qenë pilot i Marinës Amerikane.

Edhe pse Rush ishte liruar me nder nga Marina në vitin 2015, ai vijoi të pretendonte se ishte pjesë e rezervës së Marinës, thuhet në deklaratë.

“Që nga lirimi me nder në shkurt 2015, RUSH ka deklaruar 744 orë leje ushtarake në fletët e tij zyrtare të orarit, duke përfituar afërsisht 77 mijë dollarë kompensim,” thuhet në dokument.

VINI RE:Ky material wshtw pronwsi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani