Vendosni fjalën kyçe....

Mediat amerikane: Trump e ka ndarë mendjen, e ka zgjedhur gjyqtaren që do zëvendësojë Ginsburg-un


Mediat amerikane raportojnë se presidenti Donald Trump ka zgjedhur të emërojë gjyqtaren Amy Coney Barrett, për të zëvendësuar të ndjerën Ruth Bader Ginsburg në Gjykatën e Lartë.

The Hill shkruan se presidenti Trump do ta bëjë të ditur nominimin e tij, të shtunën në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë.

Barrett është zgjedhja e preferuar e të krishterëve konservatorë të cilët shpresojnë të anulojnë vendimin historik në Roe v. Wade, mbi të drejtën e gruas për abort.

“Ai e ka marrë vendimin e tij dhe është Barrett”, tha një zyrtar për gazetën.

Ditën e premte Trump u tha gazetarëve se ai e kishte marrë vendimin në “mendjen e tij” por nuk pranoi të konfirmonte që e zgjedhura ishte Barrett. Trump do ta bëjë të ditur këtë në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë në orën 5 pasdite.

“Unë nuk kam thënë që është ajo, por ajo është e jashtëzakonshme.”- tha Trump për Barrett.

Emri i Barrett u përmend shumë shpejt si kandidatja kryesore për të plotësuar vendin e lirë në Gjykatën e Lartë, pas vdekjes së Ginsburg.

Nëse konfirmohet, Barrett do të bëhet gjyqtarja e tretë në Gjykatën e Lartë që do të emërohet nga Trump, pas gjyqtarëve Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh.