
Numri i vendeve që marrin pjesë në një nismë të udhëhequr nga Çekia për blerjen e municioneve për Ukrainën është përgjysmuar që kur kryeministri Andrej Babiš u rikthye në pushtet në dhjetor, me premtimin se qytetarët çekë nuk do të paguanin për armët e Ukrainës.
Sipas presidentit çek Petr Pavel, ish-komandant i NATO-s, tani vetëm nëntë vende po financojnë nismën, nga deri në 18 vende vitin e kaluar. Kjo tendencë po ngre shqetësime për ndarjen e barrës financiare dhe të ardhmen e projektit, i cili u nis nga qeveria e mëparshme pro-BE me mbështetjen e fortë të Pavelit.
“Nisma vazhdon të funksionojë, por vështirësia e re është se vetëm rreth nëntë shtete anëtare po kontribuojnë financiarisht,” tha Pavel për Financial Times. “Kjo nismë ka siguruar deri në 50 për qind të të gjithë municionit të kalibrit të madh për ukrainasit, ndaj në këtë kuptim nuk mund të zëvendësohet lehtësisht nga diçka tjetër.”
Që nga viti 2024, Praga ka organizuar furnizimin e më shumë se 4 milionë predhave artilerie të kalibrit të madh për Kievin, për të ndihmuar në rimbushjen e rezervave të pakësuara të municioneve të Ukrainës dhe për të mbështetur mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
Pavel tha se e ardhmja e nismës duhet të jetë ndër çështjet që do të diskutohen në samitin e NATO-s në Ankara në korrik.
Zyra e Pavelit nuk pranoi të identifikonte vendet që së fundmi janë tërhequr nga iniciativa. Një zyrtar ushtarak perëndimor tha se Gjermania dhe disa vende nordike mbeten pjesë e saj, por shtoi se “disa vende tani mendojnë se është e çuditshme të paguajnë për diçka që nuk mbështetet siç duhet as nga politikanët në pushtet të vendit udhëheqës”.

Presidenti çek Petr Pavel tha: “Nisma është ende duke funksionuar, por vështirësia e re është se vetëm rreth nëntë shtete anëtare po kontribuojnë financiarisht.”
Nga ana tjetër, Babiš i tha Financial Times se qeveria e tij po i jep përparësi fondeve të kufizuara publike për qytetarët çekë, ndërsa familjet po përballen me fatura të larta energjie pas konfliktit me Iranin, dhe jo mbështetjes për Ukrainën.
“Nuk kemi para, kështu që marrim para nga vende të tjera dhe më pas i dorëzojmë [municionet],” tha ai.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, Babiš kishte kërcënuar se do ta ndalte krejtësisht iniciativën për municionet, duke e kritikuar për mungesë të pretenduar transparence mbi përdorimin e fondeve dhe shkallën në të cilën ajo përfitonte drejtpërdrejt kompaninë me bazë në Pragë, Czechoslovak Group (CSG).
CSG, një nga prodhuesit më të mëdhenj të municioneve në Evropë, ka vepruar si partneri kryesor korporativ i qeverisë çeke në sigurimin dhe rikondicionimin e predhave të artilerisë nga vende joanëtare të NATO-s, në emër të mbështetësve perëndimorë të Ukrainës.
Michal Strnad, pronar dhe drejtor ekzekutiv i CSG, tha se administrata Babiš gjithashtu e kishte lënë iniciativën pezull për disa muaj pas marrjes së pushtetit, sepse kishte “disa çështje ligjore që qeverisë së re nuk i pëlqenin, ndaj u desh kohë për t’i sqaruar”.
Megjithatë, Strnad tha se është ende herët për të parashikuar nëse Kievi do të marrë përfundimisht më pak predha këtë vit nga aleatët perëndimorë, edhe sepse disa vende mund të po përdorin tani kanale alternative për furnizimin e Ukrainës me municione, shkruan FT.
“Disa nga vendet donatore në thelb thanë se nuk janë më të interesuara ta financojnë [iniciativën], kështu që blejnë drejtpërdrejt nga ne ose nga furnizues të tjerë,” tha Strnad. “Nisma nuk ka vdekur, ajo ende funksionon, por është paksa e ngadaltë.”