Vendosni fjalën kyçe....

Sokol Sadushi në Universitetin e Prishtinës: Shteti i së drejtës nuk është vetëm institucion, por kulturë publike


Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Sokol Sadushi, ish-gjyqtar kushtetues dhe profesor i së drejtës, mbajti një ligjëratë të hapur në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, me temë “Shteti i së drejtës si kulturë publike: përgjegjësia e institucioneve dhe e shoqërisë”.

Në fjalën e tij, Kryetari Sadushi theksoi se shteti i së drejtës nuk është vetëm çështje gjykatash, ligjesh, procedurash apo reformash, por një kulturë publike që ndërtohet nga institucionet dhe shoqëria.

Ai nënvizoi se drejtësia nuk është pronë e gjykatave, por përgjegjësi e përbashkët që kërkon politikë të vetëpërmbajtur, media të përgjegjshme, shoqëri të pjekur, universitet që kultivon dije dhe një gjyqësor që dëshmon integritet institucional në vendimmarrje.

Duke folur për rolin e politikës në raport me shtetin e së drejtës, ai theksoi se demokracia nuk është vetëm garë për pushtet, por edhe kulturë institucionale, aftësi për dialog, respekt për kufijtë kushtetues dhe përgjegjësi për vendimmarrjet që i përkasin interesit publik.

Sipas tij, ka momente kur Kushtetuta kërkon më shumë sesa numra, kërkon kulturë dakordësie, maturi institucionale dhe përgjegjësi shtetërore.

Në raport me median, Kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi se media e lirë është aleate e shtetit të së drejtës dhe se debati, kritika e analiza publike janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike.

Ai nënvizoi, megjithatë, se raportimi për drejtësinë kërkon përgjegjësi të veçantë, në mënyrë që procesi gjyqësor të mos kthehet në spektakël apo gjykim publik paralel, por të respektohen procesi, provat, garancitë dhe arsyetimi.

Një mesazh i veçantë iu drejtua edhe vetë sistemit të drejtësisë. Kryetari Sadushi theksoi se besimi te drejtësia nuk fitohet me deklarata apo autoritet formal, por ndërtohet çdo ditë përmes vendimeve të arsyetuara, gjuhës së qartë, etikës, integritetit, transparencës, shpejtësisë së arsyeshme dhe vetëpërmbajtjes institucionale.

Sipas tij, autoriteti i drejtësisë buron, para së gjithash, nga vendimi i arsyetuar.

Duke iu drejtuar opinionit publik dhe brezit të ri të juristëve, Kryetari Sadushi theksoi se procesi nuk duhet parë si pengesë për drejtësinë, por si garancia e saj thelbësore, sepse drejtësia nuk mund të ndërtohet jashtë rregullave, provave, dëgjimit të palëve dhe arsyetimit të vendimit.

Ai nënvizoi gjithashtu se universiteti nuk formon vetëm profesionistë, por kulturën juridike të së ardhmes.

Në përmbyllje, ai theksoi se shteti i së drejtës merr forcë sa herë që institucionet pranojnë kufijtë e tyre, garancitë e procesit respektohen dhe juristi dëshmon integritet profesional edhe atëherë kur askush nuk e sheh.

 

Fjala e plotë:

I nderuar Dekan,
Të nderuar pedagogë,
Të dashur studentë,
Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi dhe nder i veçantë të jem sot në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, në një institucion që ka formuar breza juristësh dhe që mbetet një hapësirë e rëndësishme e mendimit juridik, akademik dhe qytetar.

Arsyeja për të cilën jam mes jush nuk synon sjelljen e një modeli të gatshëm nga Shqipëria dhe as dhënien e recetave. Përvoja jonë është e vlefshme, por njëkohësisht e ndërlikuar. Ka pasur arritje të rëndësishme, ka pasur edhe kosto. Ka pasur pritshmëri të mëdha dhe, natyrisht, edhe zhgënjime. Megjithatë, ajo që ka rëndësi është se kemi ecur përpara, kemi ndërtuar institucione të reja, kemi forcuar standardet, kemi hapur një debat më të thellë për përgjegjësinë publike dhe kemi krijuar një pritshmëri më të lartë ndaj drejtësisë. Kjo është premisa për besim, por jo për vetëkënaqësi, është motiv për të vazhduar më me seriozitet, jo për të menduar se rruga ka përfunduar.

Prandaj, më shumë sesa për të dhënë mësime, vij për të ndarë një shqetësim të përbashkët: si mund ta bëjmë shtetin e së drejtës jo vetëm normë kushtetuese, jo vetëm institucion, jo vetëm procedurë, por kulturë publike.

Qëllimi im nuk është të komentoj zhvillime konkrete politike apo institucionale. Çfarë dëshiroj të ndaj është një reflektim parimor mbi kulturën, pa të cilën shteti i së drejtës mbetet i brishtë.

Shteti i së drejtës nuk është vetëm çështje gjykatash, prokurorie, ligjesh, procedurash apo reformash. Shteti i së drejtës është një mënyrë të menduari për pushtetin, një mënyrë sjelljeje ndaj institucioneve, një mënyrë e respektit ndaj qytetarit dhe një mënyrë e të kuptuari të kufijve të pushtetit dhe të përgjegjësisë së lirisë.

Ai nuk fillon dhe nuk mbaron në sallën e gjyqit. Ai ndërtohet në gjuhën me të cilën politika flet për drejtësinë, në mënyrën se si media raporton për proceset gjyqësore, në kulturën me të cilën qytetari kupton vendimin, në seriozitetin dhe përgjegjësinë me të cilat universiteti formon juristët dhe në mënyrën se si vetë gjyqësori e ushtron pushtetin që i është besuar.

Kjo është arsyeja pse tema ime sot titullohet: “Shteti i së drejtës si kulturë publike: përgjegjësia e institucioneve dhe e shoqërisë.” Kjo temë nuk i përket vetëm një vendi. I përket çdo shoqërie që kërkon demokraci të qëndrueshme, institucione të besueshme dhe qytetarë të lirë.

Shteti i së drejtës nuk është parim abstrakt. Ai është kusht themelor për lirinë e qytetarit, dinjitetin e njeriut, zhvillimin e shoqërisë dhe paqen shoqërore. Pa shtet të së drejtës, pushteti bëhet arbitrar, liria bëhet e pasigurt, prona bëhet e cenueshme, qytetari ndjehet i pambrojtur dhe demokracia mbetet vetëm formë, pa përmbajtje.

Pikërisht këtu qëndron sfida. Ne shpesh e kërkojmë shtetin e së drejtës vetëm nga gjykatat dhe presim që ato të zgjidhin gjithçka, krizën politike, konfliktet shoqërore, mungesën e përgjegjësisë institucionale, tensionet publike dhe mosbesimin qytetar. Sigurisht, gjykata ka rol thelbësor, por asnjë gjykatë, sado e pavarur dhe sado profesionale, nuk mund ta mbajë e vetme peshën e shtetit të së drejtës, nëse kultura publike rreth saj punon kundër tij.

Shteti i së drejtës nuk varet vetëm nga mënyra se si gjykatat vendosin, por edhe nga klima institucionale dhe publike në të cilën ato ushtrojnë funksionin e tyre, nga respekti i institucioneve, i politikës, i medias dhe i shoqërisë për procesin gjyqësor dhe për autoritetin e vendimit. Një gjykatë mund të jetë e pavarur në Kushtetutë, por nëse çdo vendim i saj lexohet si akt politik, nëse çdo proces paragjykohet para se të përfundojë dhe nëse çdo gjyqtar etiketohet sipas palës që fiton ose humbet, atëherë pavarësia formale nuk mjafton.

Prandaj, shteti i së drejtës kërkon diçka më të thellë se pavarësia formale e institucioneve, kërkon kulturë publike. Kjo kulturë provohet sidomos në çastet kur institucionet vihen nën presion, kur pushteti përballet me kufijtë e tij kushtetues, kur media duhet të zgjedhë midis informimit dhe spektaklit, kur qytetari kërkon drejtësi pa cenuar procesin dhe kur vetë gjyqësori duhet të flasë vetëm me autoritetin e vendimit. Aty ku këto kufij respektohen, shteti i së drejtës nuk mbetet thjesht parim i shkruar, por shndërrohet në bindje të përbashkët publike. Pikërisht këtu lindin disa mesazhe që dëshiroj të ndaj sot me ju. 

 

Mesazhi i parë lidhet me pushtetin politik.

Në demokraci, veprimtaria politike është e pazëvendësueshme, sepse ajo përfaqëson vullnetin e qytetarëve, miraton ligjet, përcakton drejtimet e qeverisjes dhe jep llogari para publikut. Për shkak të këtij roli të madh, ajo duhet të njohë kufijtë e vet në raport me drejtësinë dhe me institucionet e pavarura. 

Drejtësia mund dhe duhet të kritikohet, sepse në një demokraci asnjë pushtet nuk qëndron jashtë vëmendjes publike, përfshirë edhe gjykatat. Ato duhet të përballen me kritikë, me debat, me analizë dhe me kërkesë për llogaridhënie, por kufiri që nuk duhet humbur është ai ndërmjet kritikës që ndërton dhe delegjitimimit që rrënon.

Kritika kërkon argument, ndërsa delegjitimimi kërkon zhurmë. Kritika e përmirëson drejtësinë, ndërsa delegjitimimi e dobëson atë. Kritika respekton procesin, ndërsa delegjitimimi synon ta zëvendësojë procesin me presion. Për këtë arsye, kur pushteti politik kërkon drejtësi vetëm kur vendimi godet kundërshtarin dhe e sulmon atë kur prek të vetët, ai nuk po mbron shtetin e së drejtës, por po përpiqet ta përdorë atë.

Drejtësia nuk mund të quhet e mirë vetëm kur na jep të drejtë, nuk mund të cilësohet e pavarur vetëm kur vendos kundër kundërshtarit dhe nuk mund të vlerësohet si e besueshme vetëm kur prodhon rezultatin që dëshiron një palë politike. Prandaj, përgjegjësia ndaj shtetit të së drejtës nuk matet vetëm me gjuhën që përdoret ndaj gjykatave, por edhe me aftësinë e forcave politike për të bashkëjetuar institucionalisht dhe për të respektuar kufijtë kushtetues të pushtetit.

Në këtë kuptim, demokracia nuk është vetëm garë për pushtet. Ajo është edhe aftësi për të bashkëjetuar pas garës, për të pranuar rezultatin, për të respektuar rolin e opozitës dhe për ta ushtruar shumicën me vetëpërmbajtje. Në shoqëritë tona, një nga provat më të mëdha të shtetit të së drejtës shfaqet pikërisht në ato momente kur vendimmarrja kërkon përgjegjësi përtej interesit të ditës dhe kur çështjet madhore nuk mund të trajtohen si betejë politike e radhës.

Ka momente kur Kushtetuta kërkon më shumë sesa numra. Kërkon kulturë dakordësie, maturi institucionale dhe përgjegjësi shtetërore. Në këto momente, kompromisi nuk është dobësi, por shprehje e pjekurisë demokratike, dialogu nuk është lëshim, por respekt për rendin kushtetues, ndërsa dakordësia për çështjet themelore nuk i shërben një pale, por vetë shtetit.

Kur mazhoranca dhe opozita nuk e shohin njëra tjetrën si pjesë të të njëjtit rend kushtetues, por vetëm si pengesë për t’u kapërcyer ose si kundërshtar për t’u mundur, shteti i së drejtës humbet hapësirën e tij natyrore. Ai nuk mund të forcohet në një klimë ku çdo institucion shihet si territor për t’u kontrolluar dhe çdo kompromis si dobësi. Përkundrazi, institucionet kushtetuese kërkojnë kulturën e përgjegjësisë së përbashkët për stabilitetin, besimin dhe vazhdimësinë e shtetit.

Ka funksione kushtetuese dhe vendimmarrje të rëndësishme që, për nga natyra e tyre, nuk i përkasin një pale politike, por vetë shtetit. Për këtë arsye, ato nuk duhet të shihen si fitore e njërës palë mbi tjetrën, por si provë e aftësisë së sistemit politik për të prodhuar dakordësi, për të garantuar funksionimin normal të institucioneve dhe për të mbrojtur interesin publik përtej interesit të ditës. Kur kjo kulturë mungon, kostoja nuk mbetet brenda politikës. Atë e paguan shteti, qytetari, besimi publik dhe e ardhmja demokratike e shoqërisë.

 

Mesazhi i dytë lidhet me median.

Media e lirë është aleate e shtetit të së drejtës, sepse pa të nuk ka transparencë, nuk ka kontroll publik, nuk ka ekspozim të abuzimit dhe nuk ka llogaridhënie reale. Pikërisht për shkak të këtij roli, liria e medias shoqërohet me një përgjegjësi të veçantë, sidomos kur raporton për drejtësinë. Në këto raste, media nuk përcjell thjesht një ngjarje. Ajo ndikon në mënyrën se si publiku e kupton procesin, vendimin dhe vetë besimin te drejtësia.

Kur raportimi mediatik ndërtohet mbi përshtypje dhe jo mbi fakte e prova, kur komenti merr vendin e arsyetimit dhe kur perceptimi publik paraqitet si vendim i dhënë, publiku nuk informohet, por orientohet drejt paragjykimit. Drejtësia nuk mund të jepet në studio televizive, në portale apo në rrjete sociale. Aty mund të zhvillohet debat, kritikë dhe analizë, ndërsa drejtësia kërkon proces, prova, garanci dhe arsyetim.

Një shoqëri demokratike ka nevojë për media të fortë, dhe media është vërtet e fortë kur mbetet e përgjegjshme, kur nuk e kthen hetimin në spektakël, gjykimin në arenë debati publik dhe qytetarin në ndjekës të një procesi që kërkon ndëshkim përpara se të ketë vendim. Kur drejtësia përdoret si armë në debatin politik dhe kur raportimi publik e kthen procesin gjyqësor në gjykim paralel, qytetari mbetet pa busull. Ai nuk dallon qartë ku mbaron fakti dhe ku fillon propaganda, ku mbaron kritika dhe ku fillon presioni, ku mbaron informimi dhe ku fillon gjyqi publik.

 

Mesazhi i tretë lidhet me opinionin publik.

Shoqëritë tona kanë kaluar histori të vështira, kanë njohur padrejtësi, tranzicione të gjata, institucione të brishta dhe zhgënjime të përsëritura. Për këtë arsye, është e kuptueshme që qytetari kërkon drejtësi të shpejtë, të dukshme dhe të prekshme. Megjithatë, shteti i së drejtës nuk ndërtohet mbi padurimin, por mbi besimin se procedura nuk është pengesë për drejtësinë. Ajo është garancia që drejtësia të mos kthehet në arbitraritet.

Kur shoqëria kërkon vendim pa proces, ndëshkim pa prova dhe rezultat pa arsyetim, ajo rrezikon të kërkojë jo drejtësi, por një formë hakmarrjeje të institucionalizuar. Drejtësia e vërtetë nuk është gjithmonë ajo që kënaq emocionin e momentit, por ajo që i reziston kohës, sepse mbështetet në proces, në prova, në ligj dhe në arsye.

Procesi mund të duket si pengesë kur presim ndëshkimin e dikujt tjetër, por i njëjti proces mund të jetë nesër mbrojtja jonë e vetme kur të jemi vetë përballë shtetit. Prandaj, qytetari ka të drejtë të kërkojë drejtësi, shpejtësi dhe integritet, por duhet të kuptojë se procesi nuk është armiku i drejtësisë. Procesi është garancia e saj.

 

Mesazhi i katërt lidhet me vetë drejtësinë.

Askush nga ne që i përkasim sistemit të drejtësisë nuk ka të drejtë t’ia kalojë përgjegjësinë vetëm politikës, medias apo opinionit publik. Besimi te drejtësia nuk kërkohet me deklarata dhe nuk fitohet me autoritet formal. Ai ndërtohet çdo ditë me vendime të arsyetuara, me gjuhë të qartë, me etikë, me integritet, me transparencë, me shpejtësi të arsyeshme dhe me vetëpërmbajtje institucionale.

Drejtësia nuk duhet të kërkojë imunitet nga kritika, por respekt për procesin; dhe ky respekt fitohet vetëm kur vetë drejtësia e trajton me seriozitet procesin, dinjitetin e palëve dhe përgjegjësinë që mbart çdo vendim. Për këtë arsye, vendimi gjyqësor nuk është thjesht akt teknik, por akt publik besimi. Ai duhet të bindë jo vetëm sepse vjen nga autoriteti i gjykatës, por sepse mbështetet në ligj, në prova dhe në arsyetim të qartë.

Drejtësia mund të komunikojë publikisht, por autoriteti i saj nuk buron nga deklaratat. Ai buron, para së gjithash, nga vendimi i arsyetuar. Pikërisht për këtë arsye, vendimi duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe i përgjegjshëm, sepse aty ku arsyetimi mungon lind dyshimi, aty ku transparenca mungon rritet mosbesimi dhe aty ku vonesa bëhet rregull drejtësia humbet forcën e saj morale. 

 

Mesazhi i pestë lidhet me universitetin dhe me brezin e ri të juristëve.

Universiteti nuk formon vetëm profesionistë. Ai formon kulturën juridike të së ardhmes. Në auditorët e drejtësisë nuk mësohet vetëm norma ligjore, procedura apo vendimi gjyqësor. Aty duhet të mësohet edhe kufiri ndërmjet pushtetit dhe përgjegjësisë, ndërmjet dijes dhe integritetit, ndërmjet ambicies personale dhe shërbimit publik.

Një jurist që di shumë, por nuk ka integritet, nuk është garanci për drejtësinë. Ai mund të bëhet rrezik për të. Prandaj, arsimi juridik nuk duhet të prodhojë vetëm njohës të ligjit, por njerëz që kuptojnë peshën e tij, njerëz që nuk e shohin profesionin juridik vetëm si karrierë, por edhe si përgjegjësi publike.

Në thelb, shteti i së drejtës nuk varet vetëm nga cilësia e Kushtetutës dhe e ligjeve, por edhe nga cilësia e njerëzve që i lexojnë, i zbatojnë dhe i mbrojnë ato. Prandaj, formimi juridik nuk është thjesht përgatitje profesionale, është edhe formim karakteri, kulture institucionale dhe përgjegjësie qytetare. Kjo është arsyeja pse universiteti, institucionet dhe shoqëria nuk qëndrojnë jashtë debatit për drejtësinë. Ato janë pjesë e vetë kulturës që e mban gjallë shtetin e së drejtës.

Në këtë kuptim, shteti i së drejtës mbetet një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Ne mund të ndërtojmë institucione moderne, të miratojmë ligje të mira dhe të ndërmarrim reforma të thella, por nëse nuk ndërtojmë një kulturë publike të respektit për drejtësinë, ai mbetet i brishtë.

Megjithatë, edhe kur sfidat janë të dukshme, arsyeja për besim nuk mungon. Pikërisht këtu, në Universitetin e Prishtinës, në një institucion që ka mbajtur gjallë dijen juridike, mendimin kritik dhe përgjegjësinë qytetare edhe në momente jo të lehta të historisë, ky besim merr një kuptim të veçantë. Përvoja jonë tregon se kemi ditur të përballojmë vështirësi, të ndërtojmë institucione, të kërkojmë standarde më të larta dhe të shohim nga e ardhmja me përgjegjësi. Këtë shpresë e ushqejnë institucionet që forcohen, universitetet që kultivojnë dije dhe përgjegjësi, si dhe qytetarët që e kuptojnë gjithnjë e më qartë se drejtësia nuk është vetëm kërkesë ndaj shtetit, por kulturë publike që ndërtohet çdo ditë.

Këtu qëndron edhe thelbi i mesazhit tim: drejtësia nuk është pronë e gjykatave, por vepër e përbashkët e një kulture publike. Ajo kërkon politikë të vetëpërmbajtur, media që informojnë me përgjegjësi, shoqëri të pjekur që kërkon drejtësi pa cenuar procesin, universitete që kultivojnë dije dhe karakter juridik, si dhe një gjyqësor që dëshmon integritet institucional në vendimmarrje.

Pikërisht për këtë arsye, shteti i së drejtës nuk merr jetë vetëm në sallën e gjyqit. Ai merr forcë sa herë që institucionet pranojnë kufijtë e tyre, garancitë e procesit respektohen dhe juristi dëshmon integritet profesional edhe atëherë kur askush nuk e sheh.

Atëherë drejtësia nuk mbetet vetëm një pushtet që vendos. Ajo shndërrohet në kulturë që orienton shoqërinë, mban gjallë lirinë, mbron dinjitetin dhe i jep kuptim të ardhmes sonë të përbashkët. 

Ju faleminderit.