Arka e shtetit mblodhi 13.8 miliardë lekë (144 mln euro) më shumë se plani në katërmujorin e parë të vitit.
Ministria e Financave raporton për të ardhura në vlerën 275.7 miliardë lekë të ardhura nga janari deri në fund të muajit prill, në rritje të ndjeshme krahasuar me vjet +28.8 miliardë lekë.
Ndikim në rritje të shpejtë të të ardhurave në këtë periudhë kanë dhënë thuajse të gjithë zërat por më së shumti TVSH-ja, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat nacionale. Edhe të ardhurat nga doganat kanë rezultuar në rritje, megjithëse me ritme më të moderuara.
Referuar raportit të ardhurat nga TVSH-ja që mblidhen nga administrata tatimore kanë rezultuar në vlerën 29.5 miliardë lekë ose 15.7% më shumë se katërmujori 2025. Kurse në raport me planin e këtij katërmujori, të ardhurat e mbledhura nga TVSH-ja ishin 3.7 miliardë lekë (38 mln euro) më shumë.
Ndikim në rritjen e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar ka dhënë shtimi i konsumit por njëkohësisht edhe rritja e çmimeve ndikuar nga lufta në Lindjen e Mesme, pasi çmimet më të larta sjellin më shumë TVSH në arkën e shtetit, sepse 20% TVSH-ja llogaritet si përqindje mbi çmimin.
Rol në shtimin e të ardhurave jo vetëm nga TVSH-ja por edhe nga zërat e tjerë, sipas qeverisë po jep rritja e aktivitetit ekonomik, por njëkohësisht edhe mirëadministrimi tatimor.
Plani i të ardhurave është tejkaluar edhe tek “tatimi mbi të ardhurat personale”, pasi janë mbledhur 28.4 miliardë lekë ose 204 milionë lekë më shumë se pritshmëritë. Rol në këtë rritje ka dhënë jo vetëm formalizimi i pagave por edhe plotësimi i DIVA dhe pagimi i detyrimeve që rridhnin pas saj.
Kurse në anën tjetër shpenzimet përsëri nuk u realizuan edhe pse në raport me vjet u rritën. Në 4 muaj institucionet harxhuan në total 221.6 miliardë lekë, nga 233 miliardë lekë që ishte plani i ministrisë për këtë katërmujor.
“Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 4 mujore të vitit 2026, arritën në rreth 221.6 miliardë lekë me një realizim në masën 95.1% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar 6.2 % më i lartë ose rreth 12.9 miliardë lekë më shumë”, thuhet në raportin e ministrisë.
Mos realizimi i shpenzimeve në kohë tregon për vijim të ‘problemit kronik’ që kanë institucionet sidomos në realizimin e investimeve të planifikuara.
