E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, ka marrë pjesë në Konferencën për Bashkëpunimin në Luftën e Trafikimit të Paligjshëm të Drogave, e cila po zhvillohet në Shqipëri me fokus te drogat sintetike në Europën Juglindore.
Gjatë fjalës së saj, diplomatja amerikane ndau shifra tronditëse lidhur me pasojat e përdorimit të fentanilit në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë opioid si kërcënimin kryesor për jetën e qytetarëve.
Sipas të dhënave të prezantuara prej saj, këto substanca janë kthyer në vrasësin numër një të amerikanëve të moshës nga 18 deri në 45 vjeç, duke shkaktuar humbje masive jetësh njerëzore në vitet e fundit.
“Vdekjet nga opioidet në Shtetet e Bashkuara shkaktohen kryesisht nga fentanili. Që nga viti 2021, mbi një çerek milioni amerikanë kanë vdekur nga kjo drogë vdekjeprurëse,” – bëri të ditur VanHorn përmes një njoftimi të shpërndarë edhe nga ambasada.
Diplomatja vuri në dukje se përballë kësaj krize të madhe, administrata e Presidentit Donald Trump ka ndërmarrë hapa të paprecedentë dhe masa mjaft agresive, të cilat kanë sjellë një rënie të ndjeshme me 35% të vdekjeve nga mbidoza. Trump u ka shpallur një luftë të hapur të gjithë shitësve dhe kontrabandistëve, duke ndryshuar rrënjësisht qasjen ligjore ndaj karteleve të drogës.
“Presidenti Trump u ka shpallur luftë shitësve, kontrabandistëve dhe trafikantëve të këtyre drogave të rrezikshme. Ai i përcaktoi zyrtarisht disa nga kartelet më të mëdha që prodhojnë dhe trafikojnë këto droga si organizata terroriste të huaja, sikurse ato janë. Presidenti Trump gjithashtu e përcaktoi fentanilin si armë të shkatërrimit në masë,” – deklaroi ajo.
VanHorn shpjegoi se ky klasifikim i ri siguron që i gjithë aparati shtetëror amerikan të jetë i mobilizuar për ta trajtuar këtë drogë si një armë kimike vdekjeprurëse.
Për më tepër, Uashingtoni ka lidhur drejtpërdrejt politikat e tij tregtare me kontrollin e drogës, duke ushtruar presion mbi vendet e tjera për të siguruar kufijtë dhe zinxhirët e furnizimit me lëndë kimike.
Megjithatë, ajo tërhoqi vëmendjen se trafikantët po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar, pasi gjenerata e re e opioideve sintetike po prodhohet më lirë dhe është edhe më vdekjeprurëse se fentanili.
Në mbyllje të fjalës së saj, VanHorn vlerësoi partneritetin me OSBE-në dhe strukturat e drejtësisë në rajon, duke theksuar se kjo konferencë në Tiranë është një hap kyç për të ndërtuar lidhjet e nevojshme ndërmjet agjencive ligjzbatuese për të çmontuar rrjetet kriminale globale.
