Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita është e gatshme të zbatojë një për një rekomandimet e OSBE/ODIHR për procesin zgjedhor, ndërsa premtoi se PD do të paraqesë “hartën më të mirë territoriale” për vendin.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim zgjedhor dhe përdorim të “partisë shtet”.
“Komuniteti ndërkombëtar flet për parti shtet në Shqipëri. Partia shtet zgjedhje nuk zhvillon, zhvillon farsë elektorale”, tha Berisha.
Ai vlerësoi raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke deklaruar se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë paraqitur me objektivitet problematikat e procesit zgjedhor në Shqipëri.
“Ne jemi të gatshëm që të zbatojmë një për një rekomandimet e tyre. U jemi shumë mirënjohës për përcaktimet e tyre të drejta”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha foli edhe për reformën territoriale, duke thënë se komisioni përkatës po zhvillon dëgjesa me qytetarët dhe ekspertët për të hartuar një ndarje të re administrative.
“Jemi të vendosur të paraqesim hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, reforma territoriale e ndërmarrë nga qeveria e Edi Ramës ka ndikuar negativisht në zonat malore dhe në procesin e shpopullimit.
“Ai shoi të gjitha komunat malore. As Çugulloviçi nuk do e bënte këtë gjë, ku shkoi Edi Rama”, tha Berisha.
Kreu i demokratëve komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rregulloren e Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën se kishte miratuar ndryshime pa konsensus me opozitën.
“Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë akt si antikushtetues”, deklaroi ai.
