
Partitë opozitare në Itali kanë sulmuar qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni, pasi ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria nuk do ta zgjasë përtej vitit 2030 marrëveshjen për ngritjen e qendrave italiane të emigrantëve në territorin shqiptar.
Përfaqësues të opozitës italiane e cilësuan projektin një dështim politik dhe financiar të qeverisë Meloni. Deputeti i Partisë Demokratike italiane, Enzo Amendola, tha se modeli i promovuar nga qeveria italiane si shembull për Bashkimin Europian është kthyer në një “turp të politikës së emigracionit”, raporton Ansa.it.
“Kjo ka arritur tashmë në nivelin e absurdit,” tha Enzo Amendola, drejtuesi i Partisë Demokratike të qendrës së majtë (PD) në komitetin e punëve të jashtme të Dhomës së Ulët.
“Ajo që Giorgia Meloni dhe e djathta e kishin paraqitur si një model për Bashkimin Europian është kthyer në fundin e politikave të migracionit, nga i cili edhe Shqipëria po distancohet tani. Fjalët e ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha vërtetojnë dështimin politik të një projekti që filloi keq dhe vetëm është përkeqësuar”, u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani gjithashtu ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha lidhur me marrëveshjen Shqipëri–Itali për emigrantët, duke thënë se nuk ekziston ende asnjë vendim për mosrinovimin e saj.
Duke iu përgjigjur homologut shqiptar Ferit Hoxha, Tajani theksoi se viti 2030 është ende larg dhe se prioritet mbetet zbatimi i marrëveshjes aktuale, jo diskutimi për të ardhmen e saj, shkruan Corriere.it.
Tajani dhe Hoxha u takuan në një takim të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. “Ai nuk më tha asgjë, por ka një bashkëpunim të madh, folëm për infrastrukturën, lidhjet, Korridorin 8 i cili, përmes Adriatikut dhe Detit të Zi, do të lidhë Triesten me Indinë”, shpjegoi kreu i Ministrisë së Jashtme.
Marrëveshja Shqipëri-Itali i ka lejuar Romës të hapë dy qendrat në Gjadër dhe Shëngjin dhe, duke qenë se ka një kohëzgjatje pesëvjeçare, ajo do të humbasë efektin në vitin 2028.
Një rinovim do ta shtynte këtë afat deri në vitin 2033, por para kësaj date Shqipëria mund të jetë bërë pjesë e Bashkimit Europian, si pasojë do të humbiste kushtin e “ekstraterritorialitetit” ndaj BE-së, që është baza e funksionimit të këtyre dy qendrave për migrantët. Prandaj sipas ministrit Hoxha nuk ka kuptim të parashikohet një rinovim.
Projekti për hapjen e strukturave në Gjadër dhe Shëngjin ka hasur shumë pengesa.
Fillimisht ato u menduan për të strehuar migrantë të kapur në det, qytetarë të vendeve për të cilat mund të aplikohej një procedurë e shpejtë dëbimi, pa hyrë në territorin italian.
Por ndërhyrjet e ndryshme të gjyqësorit kanë vënë në dyshim mundësinë e këtyre dëbimeve të shpejta. Në pritje që Gjykata e BE-së të sqarojë përfundimisht çështjen, këto qendra në Shqipëri janë kthyer në CPR, ku dërgohen persona tashmë të dëbuar nga Italia dhe të cilëve u është refuzuar azili.
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, në një postim në X ka sqaruar deklaratën e tij lidhur me rinovimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve .
Hoxha tha se, gjatë një pyetjeje nga një gazetar në Bruksel, kishte shprehur vetëm një mendim hipotetik, duke supozuar se deri në vitin 2030 Shqipëria mund të jetë anëtare e Bashkimi Europian dhe situata të jetë ndryshe.
Ai theksoi se deklarata nuk duhet të interpretohet si ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë ndaj protokollit me Italinë, ndërsa shtoi se shpesh deklaratat e nxjerra jashtë kontekstit krijojnë narrativa që nuk pasqyrojnë pozicionet reale të qeverive.
Postimi:
Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Unë u përgjigja se: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe situata do të jetë ndryshe.”
Thënë thjesht kështu. Nuk është një vendim, por thjesht një mendim i shprehur në mënyrë të sinqertë dhe spontane.
Kjo deklaratë në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë lidhur me protokollin.
Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt se argumenti, logjika dhe konteksti.
Fjali të shkëputura shpesh shndërrohen në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive.