Vendosni fjalën kyçe....

PD: 200 milionë eurot Garanci janë plan për borxh që OSHEE dhe KESH të bëjnë tendera korruptive


Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti, nga selia blu ka hedhur akuza se kriza energjisë në vend është e shkaktuar nga korrupsioni i qeverisë.

Koti sulmoi planin e shpallur ditën e djeshme nga Kryeministri Edi Rama ku në një ga 3 pikat ishte Garancia Sovrane 200 milionë euro.

Sipas PD-së Garancia është kredia që OSHEE dhe KESH do marrin për të vazhduar së bëri tendera që shpërdorojnë paratë e qytetarëve.

“Me pretekstin e krizës, ditën e djeshme Edi Rama shpalli planin e tij për të marrë 200 milionë euro borxh që OSHEE dhe KESH të vazhdojnë të bëjnë tendera dhe të shpërdorojnë paratë e qytetarëve, siç kanë bërë vitet e fundit e veçanërisht në pranverë e në verë.

Ky borxh i ri, i shoqëruar nga gropat që kjo qeveri ka hapur në financat publike, do të shoqërohet edhe me rritje të përgjithshme të çmimeve të produkteve. E për pasojë papërgjegjshmërinë e pushtetit, do ta paguajnë familjet shqiptare.

Prandaj fjalimi i djeshëm kishte për funksion që Edi Rama të hiqte përgjegjësitë nga vetja dhe kabineti i tij.

Por ja si keqmenaxhohet energjia elektrike; ja si vidhen shqiptarët.

KESH deri në Shtator 2021 ka prodhuar 4.5 Mld KËh

Nëpërmjet OSHEE qytetarët janë furnizuar me 3.2 Mld KËh.

Pjesa tjetër e prodhuar nga KESH, 1.3 Mld KËh është shitur (eksportuar)

Ndërkohë konsumi familjar + biznes ne Shqipëri deri në Shtator 2021 ka qenë 4.6 Mld KWH.

Por qeveria, nuk i ka furnizuar konsumatorët me prodhimin e brendshëm të KESH, por duke importuar energji.

Çmimi i shitjes nga KESH tek OSHEE për konsumatorin është 12 €/ MWh

Ndërsa çmimi i importit është 260 € MWh

Ja pra, që gënjeshtrat e Kryeministrit dalin hapur. Me mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri, ne i plotësojmë nevojat e konsumit të energjisë me prodhimin tonë të brendshëm nga KESH.

Me çmimin e KESH, (për 4 muajt e ardhshëm Shtator-Dhjetor) nga Buxheti i Shtetit do shpenzoheshin 8 Mln €;

Ndërsa me skemën e vjedhjes (nëpërmjet energjisë së importuar) nga Buxheti i Shtetit do harxhohen 150 Mln €.

Pikërisht, për këtë arsye, ne themi që është krizë e manaxhimit të fondeve, e burimeve natyrore, krizë nga korrupsioni dhe absolutisht jo, krizë e energjisë elektrike.

Për të gjitha këto shpërdorime me paratë e qytetarëve, Partia Demokratike do të dorëzojë kallëzime penale në SPAK. Këto abuzime me taksat e shqiptarëve duhet të marrin fund, bashkë me pandëshkueshmërinë që vijon të cenojë besimin te institucionet dhe drejtësia!-deklaroi Sorina Koti.