Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta letër kreut të SPAK: Mos zgjatni afatet për kontratën GSIS-LSI



Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ka dërguar një letër drejtuesit të SPAK, Klodjan Braho, ku ngre shqetësime lidhur me hetimet ndaj tij dhe bashkëpunimin juridik me autoritetet amerikane.

Në letrën e tij, Meta kërkon që të mos bëhet një kërkesë e re për zgjatjen e afatit të mosbërjes publike të informacionit që lidhet me kontratën e vitit 2016 mes LSI-së dhe kompanisë GSIS. Sipas tij, një veprim i tillë do të cenonte të drejtën për mbrojtje efektive në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.

Meta pretendon se procedurat e ndjekura nga autoritetet shqiptare dhe bashkëpunimi me institucionet amerikane mund të jenë ndikuar politikisht, ndërsa shpreh dyshime edhe për mënyrën e administrimit të provave dhe informacionit hetimor.

Në letër ai përmend edhe çështje që lidhen me kontrata lobimi dhe komunikime mes institucioneve shqiptare dhe amerikane, duke pretenduar se disa përgjigje të ardhura nga SHBA janë interpretuar në mënyra të ndryshme nga organet hetimore.

Sipas Metës, qëllimi i kërkesës së tij është garantimi i një procesi të rregullt ligjor dhe transparencë e plotë gjatë hetimeve.

Në fund të letrës, kreu i Partisë së Lirisë i kërkon SPAK-ut të shmangë çdo vendim që, sipas tij, mund të kufizojë të drejtën e mbrojtjes dhe të sigurojë një hetim të bazuar vetëm në ligj dhe prova të verifikueshme.