Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa kërkon zgjidhje për pedagogët e Arteve: Artistët nuk mund të vlerësohen vetëm në letër



Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua një seancë dëgjimore me artistë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, lidhur me problematikat që ata hasin për avancimin në karrierën artistike dhe akademike.

Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Arsimit për zgjidhjen e situatës, duke theksuar se çështja prek drejtpërdrejt kulturën dhe arsimin në vend.

Sipas Zhupës, kontributi i pedagogëve artistë nuk mund të matet vetëm me vepra shkencore, pasi ata kanë krijuar vepra artistike që përbëjnë pasuri kombëtare dhe ndikojnë në identitetin kulturor shqiptar.

Ajo deklaroi se statusi i veçantë i Universitetit të Arteve duhet të njihet jo vetëm formalisht, por edhe në praktikë, përmes njohjes së plotë të titujve akademikë dhe efekteve financiare që lidhen me to.

“Nuk mund t’u thuhet pedagogëve artistë se nuk kanë vepra shkencore, ndërkohë që ata kanë vepra artistike që janë pasuri kombëtare. Artistët meritojnë dinjitet dhe njohje të menjëhershme të kontributeve të tyre”, u shpreh Zhupa.

Ajo shtoi se mungesa e vlerësimit dhe mbështetjes për pedagogët rrezikon të ndikojë negativisht te studentët dhe te zhvillimi i artit shqiptar.